Tre persona humbën jetën nga një aksident që ndodhi në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Viktimat dyshohet të kenë qenë duke e shikuar një garë mes veturave, njëra prej të cilave e humb kontrollin dhe godet shikuesit anash rrugës.
Pas kësaj ngjarje, po kërkohet ashpërsim i madh i dënimeve në komunikacion.
Avokati Arianit Koci ka shkruar në rrjete sociale se gjendja është e jashtëzakonshme.
“Në një shtet ku prej 10 shoferave së paku tetë janë me telefon në dorë në ndonjë pjesë të vozitjes, ndodhin tragjeditë si ajo në autostradë afër Prizrenit. Madje, edhe shoferat e autobusave urban flasin në telefon gjatë vozitjes. Jo rrallë, i kam parë edhe policët me telefon në dorë në lëvizje me vetura zyrtare. Toleranca sistematike e kundërvajtjeve, e krijon kulturën e interaksionit kriminal në komunikacion. Kjo gjendje pastaj e determinon tragjedinë që ka ndodhur mbrëmë ku kanë mbetur të vdekur tre të rinj!”, ka shkruar Koci.
“Prandaj, urgjentisht duhet shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në komunikacion. Të fillohet me aplikimin e ashpër të dënimeve. Sot menjëherë!”, ka shkruar avokati.
Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se me Ligjin e ri dënimet do të jenë shumë më të ashpra.
“Ligji i ri për Rregullat në Trafik do të ketë dënime shumë më të ashpra sesa Ligji aktual në fuqi. Në tre majorin e parë të vitit 2024 do ta kemi Ligjin e ri për Rregullat në Trafik. Aksidenti i mbrëmshëm në autostradën “Ibrahim Rugova” ku humbën jetën 3 të rinj tregon se sa e nevojshme është që të ashpërsohen dënimet në komunikacion”, ka shkruar deputetja.
“Ju njoftoj se Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim tashmë ka përfunduar hartimin e Ligjit të ri për Rregullat në Trafik. Bashkë me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë kemi punuar me muaj të tërë në hartimin e Ligjit të ri. Ne e kemi përfunduar hartimin e draft ligjit dhe i njëjti do të votohet të martën në Komision. Ligji i ri do të ketë dënime shumë më ashpra në krahasim me ligjin aktual që është në fuqi”, ka thënë ajo.
Nata e kaluar ishte e kobshme për tre persona. Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj, dyshohet të kenë qenë duke përcjellë një garë mes veturash në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Njëra nga veturat e ka humbur kontrollin dhe ka goditur shikuesit, ku humbën jetën Syla, Delija dhe Bibaj.
Nacionale ka mësuar se shoferi i veturës i cili është arrestuar, është familjar tejet i afërt i tashmë të ndjerit Lordi Syla.
I ndjeri sipas informatave jozyrtare, kishte shkuar për ta përcjellur garën mes familjarit të tij dhe shoferit të një veture tjetër.
Gazeta Nacionale nga burimet e veta ka mësuar gjithashtu se viktima Lordi Syla, është vëlla i avokatit të njohur, Leutrim Syla. Leutrimi është avokat me emër, dhe merr pjesë në konferenca e emisione të ndryshme televizive lidhur me sistemin e drejtësis
Kurse, vëllai tjetër i Lordit, është Ali Syla, polic i Kosovës. Kjo mund të shihet edhe nëpër fotografi të ndryshme në rrjete sociale. Edhe polici Syla është gjithashtu figurë e njohur për punën e tij në Policinë e Kosovës.
Babai i Lordit, Muhamet Syla, ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.