Veriu dhe juglindja e Shqipërisë janë përfshirë nga reshje të dendura të borës. Flokët e bardhë kanë sjellë pamje magjepsëse nga zonat turistike në Korçë.
Bardhësia që ka mbuluar Dardhën, Voskopojën dhe Vithkuqin e më tej sjellin imazhe të rralla.
Pas situatës së krijuar në nëntor ku kompanitë e pastrimit të rrugëve u gjetën të papërgatitur, këtë radhë borëpastrueset kanë punuar edhe gjatë natës për të mbajtur hapur rrugët
I gjithë territori i Qarkut Kukës gjatë gjithë natës ka qenë i përfshirë nga reshje shiu dhe në lartësinë mbi 700 m reshje bore.
Mëngjesi i kësaj të premte e ka gjetur Shishtavecin deri në 30 centimetra borë. Edhe Valbona u mbulua nga velloja e bardhë që në orët e para kapërceu pesë centimetra.
Ndërsa bora thërret për më shumë turistë që kërkojnë të shijojnë pamjet e mbuluara me të bardhë, nga ngrohtësia e oxhakut që ofrojnë shtëpitë e pushimit, në rrugë vijon kontrolli me mjete.
Kriposja e akseve dhe largimi i borës ka bërë të mundur që qarkullimi të vijojë normalisht dhe pa pengesa.
Megjithatë në zonat e përfshira nga ngricat policia apelon të përdoren zinxhirët./OraNews