Përgatiti: Fatlum Jashari
Përkundër se në deklaratën e përbashkët në Samitin BE – Ballkani Perëndimor u pajtua për zbatim të plotë, pa vonesa dhe pa kushte të Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit, Serbia dërgoi letër anësore për kundërshtim të pjesshëm.
Në letrën dërguar Shërbimit të Jashtëm Evropian, kryeministrja serbe Ana Brnabic shpreh rezerva ndaj deklaratës së pajtuar në prani të liderëve të BE-së, teksa e cilëson politike dhe ligjërisht joobliguese.
Në të ajo shkroi se Marrëveshja për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Shtojca Zbatuese “janë të pranueshme vetëm brenda një konteksti që nuk i përket njohjes de-fakto ose de jure të Kosovës”.
Rreshtimi i Serbisë në deklaratën e përbashkët, sipas Brnabic, “nuk nënkupton pranimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së e as (të ashtuquajturin) integritetin territorial të Kosovës”.
Në takimin e 12 Dhjetorit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme, ministrat e shteteve anëtare miratuan konkluzionet në të cilat kërkohet që, urgjentisht – para fundit të Janarit 2024, rruga e Serbisë për anëtarësim në BE të lidhet direkt me zbatimin e marrëveshjes dhe shtojcës.
Kërkesa për obligime shtesë në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim me Serbinë, drejtuar Komisionit dhe Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, duhet t’u propozohet liderëve të shteteve anëtare në Këshillin Evropian.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: