Apeli ul dënimin në 22 vjet burgim për Salih Mustafën

Përgatiti: Nora Luta

Plot dhjetë muaj e kishte në shqyrtim Gjykata e Apelit ankesën e Salih Mustafës ndaj vendimit të shkallës së parë, e cila e dënoi për krime lufte me 26 vjet burgim.

Të enjten, Apeli gjatë një seance publike në Hagë, ku ishte i pranishëm Mustafa, i njohur me nofkën Cali, publikoi vendimin, duke i ulur dënimin për katër vjet.

Ankesa e ish-pjesëtarit të UÇK-së, përmbante nëntë pika të ndara në 51 nënpika, prej të cilave paneli i Apelit i rrëzoi tetë, e miratoi pjesërisht kundërshtimin e tij ndaj dënimit.

“8 vjet burg për pikën 1 për ndalim arbitrar. 20 vjet për burgim për pikën 3, për torturë, dhe së treti 22 për pikën 4 të aktakuzës për vrasjen e paligjshme. Në përputhje me këtë, Paneli duhet të përcaktojë në bazë të rregullës 163 duhet të pasqyrojë një dënim të njësuar. Në lidhje me këtë, paneli gjykon se një dënim i njësuar me 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të Mustafës”, tha gjyqtarja, Mishele Pikar.

Gjykata tha se mori për bazë politikën ndëshkimore për krimet e luftës në Tribunalin e Hagës dhe të gjykatave të Kosovës.

“Paneli i Apelit thekson se ka lënë në fuqi verdiktet e fajësisë së z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme, (për të cilat u konstatua se mbante përgjegjësi penale individuale), as UÇK-ja, as populli i Kosovës nuk ishin objekt i këtij procesi gjyqësor dhe nuk mbahen përgjegjës apo fajtorë për këto krime”, tha Pikar.

Ndërkohë, Mustafa kishte kundërshtuar cilësimin e trupit gjykues se konflikti në Kosovë gjatë periudhës së aktakuzës ishte konflikt i armatosur jondërkombëtar.

Ish-komandanti i UÇK-së, gjithashtu, kishte pretenduar se trupi gjykues nuk i vlerësoi në mënyrë të drejtë dhe të paanshme dëshmitë e dëshmitarëve, por për këto dhe kundërshtimet e tjera Apeli konstatoi se gjykata e shkallës së parë veproi drejt.

Ky është aktgjykimi i parë i Apelit i Dhomave të Specializuara.

Mustafa ishte dënuar me 26 vjet burgim nga shkalla e parë për vrasje, torturë dhe ndalim arbitrar, ndërsa i pafajshëm ishte shpallur për akuzën për trajtim mizor.

Sipas aktakuzës, në prilli të 1999-s Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së keqtrajtuan të ndaluarit në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Mustafa ishte arrestuar dhe transferuar në Hagë në 24 shtator të vitit 2020, ndërsa një vit pas nisi procesi gjyqësor, gjatë të cilit dëshmuan 29 dëshmitarë dhe pjesëmarrës ishin tetë viktima.

Apeli ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë rreth kompensimit të viktimave në vlerë prej 207 mijë eurosh, pasi as Mustafa nuk e kishte apeluar.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA