Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka lansuar sot tri shërbime të reja elektronike për tatimpagues udhëzuesi interaktiv tatimor, kalkulatorët tatimorë dhe sistemin për denoncimin e parregullsive tatimore.
Këto shërbime elektronike do t’u ndihmojnë tatimpaguesve të përmirësojnë të kuptuarit e përmbushjes tatimore, të bëjnë vlerësimin e obligimeve tatimore, si dhe të raportojnë evazionin dhe parregullsitë tatimore në mënyrë elektronike.
Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Avni Zogiani, tha se tri shërbimet e reja do të mundësojnë përfshirjen e sa më shumë tatimpaguesve nën ombrellën e sistemit tatimor.
Gjatë fjalimit të tij, zëvendësdrejtori ekzekutiv i ATK-së, Ilir Murtezaj, tha se shërbimeve të reja për tatimpagues do të ndikojnë në rritjen e mbledhjes së të hyrave tatimore për buxhetin e Kosovës, në mënyrë më efikase dhe transparente.
Ai tha se ATK-ja vazhdon të shtojë numrin e tatimpaguesve, të rrisë kualitetin dhe të zgjerojë gamën e shërbimeve për tatimpagues dhe se kujdeset që siguria e tatimpaguesve të jetë në nivel.
Ndërsa, drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike në USAID Kosovë, Alexander Albertine, tha se përmirësimi i shërbimeve për tatimpagues është inkurajues dhe se USAID ka pasur kënaqësinë të jetë përkrah ATK-së në rrugën drejt përvetësimit të digjitalizimit dhe përmirësimit të integritetit institucional të saj.
Gjatë kësaj ngjarje, përmes një paneli të diskutimit u fol edhe për transformimin digjital të ATK-së në përgjithësi, me theks të veçantë në ndikimin potencial të shërbimeve të reja elektronike për qytetarët, thuhet në komunikatë.