“Mobilizim” i serbëve nga Kosova në mbështetje të Vuçiqit

“A mund të llogaris në mbështetjen tuaj për presidentin [Aleksandar] Vuçiq?”… “Mbështetje duhet t’i jepet presidentit [Aleksandar Vuçiq]”…

Fjali të tilla, punonjësit e institucioneve serbe në Kosovë dëgjojnë, ditëve të fundit, nga eprorët e tyre.

Këtë e konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë disa burime në institucione të ndryshme, që funksionojnë në sistemin serb në komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, por ato nuk duan të flasin publikisht.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po bën fushatë aktive për Partinë Përparimtare Serbe nën sloganin “Serbia nuk duhet të ndalet”.

Në Serbi, më 17 dhjetor, mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale, por serbët nga Kosova do të mund të votojnë vetëm në zgjedhjet për Kuvendin e Serbisë.

Zgjedhjet lokale në Kosovë, të organizuara nga Serbia, nuk janë mbajtur që nga viti 2012, kur Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, ka refuzuar t’i zhvillojë ato.

Megjithatë, komunat sipas sistemit serb nuk janë shfuqizuar dhe Qeveria e Serbisë, rregullisht, i emëron kryetarët e të ashtuquajturave autoritete të përkohshme komunale.

Këto organe “janë angazhuar” sidomos tash para zgjedhjeve serbe, për t’i ofruar “mbështetje” Vuçiqit, përkatësisht Partisë Përparimtare Serbe, thonë burime të REL-it nga komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Thuhet se dhjetëra punëtorë janë punësuar pa konkurs në institucionet e Serbisë.

Disa burime, po ashtu, thonë se persona me banim në Serbi, që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, janë udhëzuar që t’u lajmërohen autoriteteve të përkohshme, në mënyrë që t’u “mundësohet” që të votojnë së bashku me të tjerët që kanë vendbanim në Kosovë.

Nga “thirrni më vonë” deri te mbyllja e telefonit

Radio Evropa e Lirë u përpoq t’i verifikonte këto pretendime me kryetarët e disa autoriteteve të përkohshme, por pa sukses.

Kryetari i autoritetit të përkohshëm në Mitrovicën e Veriut, Ivan Zaporozhac, nuk ishte i qasshëm në numrin e telefonit dhe nuk iu përgjigj mesazhit që iu dërgua përmes aplikacionit Viber.

Kryetari i autoritetit të përkohshëm në Leposaviq, Zoran Todiq, tha se është i zënë dhe “thirrni më vonë”, por më vonë nuk ishte i qasshëm.

Novak Zhiviq, kryetar i autoritetit të përkohshëm në Prishtinë, pasi e dëgjoi pyetjen, e mbylli telefonin dhe nuk u përgjigj më.

Në krye të autoriteteve të përkohshme janë zyrtarë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – e cila u themelua me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe të Vuçiqit.

Për këtë temë, Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, por ajo nuk u përgjigj.

Disa banorë të Leposaviqit, në anën tjetër, shpërndanë një fotografi në rrjetet sociale, ku shihet një grup njerëzish që presin në radhë para objekteve të Partisë Përparimtare Serbe në atë komunë.

Arsyeja dyshohet se ishte “ndarja e vendeve të punës”. REL-i, megjithatë, nuk arriti të përcaktojë nëse fotografia është autentike.

Për “ndarjen e vendeve të punës” thotë se ka njohuri edhe politikani Nenad Radosavleviq, i cili aktualisht merr pjesë edhe në punët e Komunës së Leposaviqit në sistemin e Kosovës.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Radosavleviq thotë se serbët nga Kosova, viteve të fundit, “kanë ngecur si komb” dhe vetëm përpiqen “të kapen për buxhetin shtetëror [të Serbisë]”.

“Njerëzit, thjesht, zgjedhin të mos bëjnë më asgjë, të marrin disa para që nuk janë asgjë, por ata e zgjedhin atë mënyrë jetese”, thotë ai.

Radosavleviq shton se politikanët nga Lista Serbe, “duke i joshur qytetarët” para zgjedhjeve të 17 dhjetorit, përpiqen ta ruajnë pushtetin në Kosovë përmes fitores së Partisë Përparimtare Serbe në Serbi.

Në këtë kontekst, ai thotë se njerëzit në veri, ditëve të fundit, kanë fituar vende pune pa kurrfarë konkursi.

“E kanë shkatërruar sistemin e një vendi”, thotë Radosavleviq.

Pagat për punëtorët në institucionet serbe në Kosovë paguhen nga buxheti i Qeverisë së Serbisë.

Në fund të tetorit, REL-i raportoi se Qeveria e Serbisë planifikon t’i ndajë rreth 11 milionë euro më shumë për Kosovën në buxhetin e vitit 2024, krahasuar me këtë vit.

“Mos harroni se kush ju dha të gjitha këto”

Më 7 dhjetor, shefi i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, Zllatan Ellek, ndau publikisht mbi 200 kontrata me afat të pacaktuar, përkatësisht mbi 200 punëtorë u futën në marrëdhënie të përhershme pune.

Ellek u zgjodh kryetar i Listës Serbe në fund të tetorit. Atëkohë, ai tha se kjo parti do të jetë “qendër rreth së cilës do të mblidhet populli serb në Kosovë dhe Metohi”.

Gjatë dhënies së kontratave për punonjësit e Qendrës Klinike Spitalore, ai e shfrytëzoi rastin për të “shfaqur shpresën” se serbët nga Kosova “nuk do të lejojnë që Serbia të ndalet” më 17 dhjetor.

“Ju jeni e ardhmja që mbetet këtu falë presidentit Aleksandar Vuçiq, Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Zyrës për Kosovë e Metohi. Unë, sinqerisht, shpresoj dhe besoj se më 17 dhjetor do të jemi të bashkuar, siç ishim në kohën e pandemisë COVID-19, dhe se nuk do ta lejojmë Serbinë të ndalet”, tha Ellek.

Me ton të ngjashëm, punëtorëve që morën kontrata, iu drejtua edhe zëvendësshefi i spitalit, Dragisha Milloviq, i cili është edhe zyrtar i Listës Serbe.

“Gjithmonë duhet ta keni parasysh se kush ju dha të gjitha këto… Unë do të them se këto, në radhë të parë, janë falë Qeverisë sonë [të Serbisë], Ministrisë së Shëndetësisë, Zyrës për Kosovë dhe Metohi. Do ta përmend Aleksandar Vuçiqin – figurën më të rëndësishme sot në skenën politike të Serbisë”, tha Milloviq.

Takimi i serbëve dhe Petkoviqit

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, zhvilloi në fund të muajit nëntor në Rashkë një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Në atë takim, siç u raportua, u bisedua se si t’iu mundësohet votimi në zgjedhjet parlamentare në Serbi, më 17 dhjetor. Përfaqësuesit e serbëve thanë se “është e rëndësishme që t’i mundësohet popullit serb ta shfrytëzojë të drejtën e votës”.

Hapja e vendvotimeve në territorin e Kosovës nuk u lejua nga Qeveria e Kosovës, e cila për një gjë të tillë tha se duhet kërkesë e drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar, e jo të ndërmjetësohet nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë.

Më pas, Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë vendosi që, më 17 dhjetor, serbët nga Kosova mund ta ushtrojnë të drejtën e votës në qytetet kufitare të Serbisë: Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

Ata votuan në të njëjtën mënyrë edhe në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, më 3 prill, 2022.

Presidenti serb, Vuçiq, tha më 1 dhjetor se zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit “nuk do të mbahen në zonat serbe në Kosovë, sepse [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti këmbëngul ekskluzivisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës, si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve”.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i organizoi për komunitetin serb në Kosovë, ishin më 21 qershor, 2020. Ato u mbajtën sipas praktikës së mëparshme, në bazë të së cilës misioni i OSBE-së në Kosovë i mblidhte votat. Më pas, votat numëroheshin në Rashkë dhe Vranjë. /REL

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA