Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro, kështu ka vendosur Kuvendi i Kosovës të enjten në shqyrtimin e dytë të Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2024.
Shumica parlamentare e Lëvizjes Vetëvendosje, duke mos i përfshirë dy deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, kanë votuar kundër propozimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa për ngritje të vlerës së koeficientit në 115 euro.
“Po besoj që kryetari i komisionit duhet me specifiku që amandamenti 7, pika a, është me mbështetje të komisionit funksional dhe ka të bëjë me koeficientin e ligjit të pagave të bëhet 115 euro. Pra, ka kalu në komision dhe ka marrë përkrahjen e komisionit funksional”, tha deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, i cili i dha mbështetje këtij amandamenti, ashtu sikurse kolegu i tij Visar Korenica, i cili votoi po ashtu pro amandamentit.
Megjithatë, Armend Muja i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se shumica nuk e përkrah këtë amandament.
Deputetët e opozitës dhe dy deputetët e LVV-së, Rrahmani e Korenica, votuan pro amandamentit.
Buxheti i shtetit të Kosovës për vitin 2023 ishte 3.2 miliardë euro.