Zëvendëskryeminstri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka mirëpritur marrëveshjen komerciale në mes KEDS-it dhe Elektroserverit.
Bislimi tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje bëhet një hap tutje për furnizimin me energji në katër komunat veriore.
“Me nënshkrimin e kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, sipas pikës 3 të Udhërrëfyesit për Marrëveshjen e Energjisë, u bë një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës”, shkroi Bislimi.
Ai shtoi se operimi në veri do të ndodhë brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovoës, teksa bëri thirrje që të ecet tutje.
“Më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasiqë pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, Elektrosever pranoi ta nënshkruajë kontratën. Operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu siç në të gjithë territorin e vendit tonë”, tha Bislimi.
“Tash duhet të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vitesh, ilegalitetit në mospagesë të rrymës”, u shpreh ai.
Bislimi shtoi se Kosova vazhdimisht ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka zbatuar të gjitha detyrimet e saj, andaj dhe presin dhe kërkojmë të njëjtën gjë nga pala tjetër, për ta përfunduar këtë proces.