Përgatiti: Benita Zeneli
Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që kishte anuluar vendimin për uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve, ishte ankuar ekzekutivi.
Mirëpo, ankesën e Qeverisë e ka vlerësuar si të pabazuar Gjykata e Apelit, duke i dhënë kështu të drejtë vendimit të gjykatës së shkallës së parë.
“Sipas vlerësimit të kolegjit, në asnjë dispozitë ligjore nuk përcaktohet se në cilën formë duhet të ngrihen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mirëpo përcaktohet me ligj se ato pavarësisht arsyes së rritjes nuk mund të zvogëlohen, ashtu siç edhe është arsyetuar në aktgjykimin e ankimuar”, thuhet në vlerësimin e Gjykatës së Apelit.
Vendimin e shkallës së dytë e mirëpresin monitoruesit e fushës së drejtësisë.
Aktualisht, sipas ligjit të Pagave, gjyqtarët dhe prokurorët i marrin pagat me shtesën tranzitore. Mirëpo, procesimi i pagës për këtë kategori nuk do të jetë e njëjtë, pasi që nga shkurti, ata do të paguhen vetëm 50 % të shtesës tranzitore.
Ulja e pagës në këtë mënyrë po kundërshtohet.
Sipas vendimit të Gjykatës Themelore, është kontestuar se vendimi për uljen e pagave nuk është nxjerrë mbi bazën e ndonjë situate të jashtëzakonshme ose vështirësie financiare.