Bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë dhe kushtet për integrimet evropiane

I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të enjten në Bruksel se ka përparim në procesin e zbatimit të disa marrëveshjeve të arritura në bisedime, duke nënvizuar se pa normalizimin e marrëdhënieve asnjëra palë nuk mund të përparojë në rrugën evropiane.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati mbi zgjerimin e bllokut evropian të organizatës joqeveritare “Miqtë e Evropës“, në të cilin u tha se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi është me rëndësi strategjike.

“Pa këtë normalizim nuk mundemi as të ëndërrojmë të ardhmen evropiane. Kemi përparim kohëve të fundit në këtë drejtim. Së shpejti do ta mbyllim dosjen e energjisë, ka progres në çështjen e targave, në çështjen e personave të pagjetur, në çështjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, tha Lajçak, duke iu referuar marrëveshjes së arritur me 27 shkurt në Bruksel dhe pajtimit me 18 mars në Ohër për rrugët e zbatimit të saj.

Javën që vjen Bashkimi Evropian pritet të debatojë politikat e zgjerimit dhe në kuadër të diskutimeve pritet miratimi i përfundimeve që është paralajmëruar se do të përfshijnë kërkesën që Komisioni Evropian ta bëjë marrëveshjen e Ohrit pjesë të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në bllok, përkatësisht të kapitullit 35 të negociatave.

Përfundimet pritet të miratohen nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare në një takim më 12 dhjetor dhe më pas nga Këshilli Evropian, në një takim të udhëheqësve që do të zhvillojë punimet me 14 dhe 15 dhjetor.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën se ka mundësi që Marrëveshja e Ohrit të bëhet pjesë e negociatave për anëtarësim.

Marrëveshja kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Por, presidenti serb Vuçiq, ritheksoi se për Serbinë është e papranueshme që Kosova “të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara”.

“Jam takuar me francezët, gjermanët, italianët, të gjithë evropianët, amerikanët, për këtë gjë. Të gjithë e dinë këtë”, tha presidenti serb në një intervistë për revistën e përjashtme serbe, NIN. Sipas tij, nëse të gjitha pikat e marrëveshjes përfshihen në përfundimet e bllokut “dyert e BE-së për Serbinë do të mbyllen”.

Që nga fillimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi në vitin 2011, perëndimi e ka theksuar se ky është kusht për integrimet evropiane.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm bisedimet e lehtësuara nga BE-ja si e vetmja rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Për këtë arsye, ne përsërisim thirrjet tona për qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë përparim konkret në angazhimet që kanë marrë në kuadër të marrëveshjes së normalizimit dhe presim që të dyja vendet të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes Themelore dhe aneksit të zbatimit të saj”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të DASH-it në të cilën ritheksohet përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Serbinë, Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të përmbushur aspiratat e tyre për integrim evropian dhe anëtarësim në institucionet euroatlantike.

Por marrëveshja e Ohrit nuk i uli tensionet ndërmjet palëve, të cilat u përkeqësuan në fund të shtatorit pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie.

Në projektin e përfundimeve të takimit të vendeve anëtare të BE-së i kërkohet Serbisë vënia para drejtësisë e autorëve të sulmit të 24 shtatorit, përgjegjësinë për të cilin e mori përsipër Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë. Beogradi, e ka mohuar deri tani çdo lidhje me sulmin.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha të enjten se emri i Milan Radoiçiqit është në listën e të kërkuarve nga Policia Ndërkombëtare (Interpol). Kërkesa sipas tij është bërë nëpërmjet Misionit të Kombeve të Bashkuara, meqë Kosova nuk është pjesë e Interpolit për shkak të kundërshtimit të pavarësisë së saj nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Ngjarjet e 24 shtatorit u pasuan nga shtimi i pranisë së forcave paqeruajtëse në Kosovës, por edhe një shtim përpjekjesh perëndimore për t’i nxitur palët të përshpejtojnë normalizimin e marrëdhënieve, mes shqetësimeve se Rusia mund të përpiqet të nxisë konflikt në Ballkan, për të shmangur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Udhëheqësit më të lartë evropianë i kërkuan më 26 tetor Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.

Ata u thanë të dyja palëve se në mungesë të përparimit për normalizimin e marrëdhënieve, rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në radhë të parë integrimet evropiane.

Serbia i ka shpallur këto integrime synim të saj, por ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së pretendimeve serbe ndaj Kosovës nga ana e Kremlinit.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha të enjten në Bruksel se Bashkimi Evropian duhet të dëshmojë se kësaj radhe mundësia për integrim është reale, ndërsa nënvizoi se Serbia po bën shumë në procesin e reformave sikur edhe në ndihmën e saj për Ukrainën.

“Serbia po bën shumë për Ukrainën, por ju lutem të mos e bëni të madhe këtë, sepse nuk do të ishte në interes të të gjithëve në Serbi“, tha ambasadori Hill, pa dhënë më shumë hollësi për çfarë ndihme bëhet fjalë. /voa

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA