Përgatiti: Fatlum Jashari
Ministri për Komunitete, Nenad Rasiq, njoftoi për mediat në vend se INTERPOL-i ka lëshuar urdhër arrest për Milan Radojiçiqin.
Ai tha se njoftimi është lëshuar pas kërkesë së Kosovës, përmes UNMIK-ut.
Por, Prokuroria, Policia, Ministria e Punëve të Brendshme, misioni i OKB-së në Kosovë dhe INTERPOL-i, zyrtarisht, nuk konfirmuan këtë informacion.
Me arsyetimin se nuk komentojnë individët, Organizata Ndërkombëtare Policisë – INTERPOL sqaroi se nuk lëshon flet-arreste, por “njoftime të kuqe”.
Deri në publikimin e kronikës, Milan Radojçiq nuk ishte në këtë listë publike të INTERPOL-it.
Zyrtarisht, “Njoftimi i kuq” është alarm për të arrestuar përkohësisht persona të kërkuar për ekstradim, dorëzim ose veprime të njëanshme ligjore.
“Njoftimi i kuq” iu referohet personave të kërkuar nga një shtet ose nga tribunali ndërkombëtar, por jo nga INTERPOL-i dhe nuk është fletë-arrest tipik.
Pasi tregoi se njoftimi i kuq ndryshe njihet si fletë-rreshtim i kuq, profesori Fatmir Çollaku, sqaroi se ai është një instrument nënkupton gatishmërinë për të arrestuar personin nëse ai haset në vendkalime apo shtete të ndryshme.
“Për shembull fletë-rreshtimi i gjelbër, fletë-rreshtimet tjera, janë krejtësisht për faza tjera, në kuptimin e identifikimit të kryerësve të mundshëm të veprave penale për të cilët ekziston dyshimi i bazuar. Kurse në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me dyshim, sepse bëhet fjalë për fletë-rreshtimin e kuq, që veç janë konsumuar nivelet e dyshimit, sepse personi në fjalë, i dyshuari e ka marrë përsipër atë vepër dhe nuk ka më asgjë tjetër pos arrestimit të tij”, tha profesori Çollaku.
Edhe pse vlerësoi se fletë-rreshtimi ia kufizon lirinë e lëvizjes Radojçiqit, profesori përmendi rolin e kufizuar të Kosovës për të sjellë atë para drejtësisë.
“Çka mund të bëjë Kosova këtu? Asgjë nuk mund të bëjë Kosova, sepse në Serbi nuk ka ingirenca, Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it. Por, është një solidarizim, është një gatishmëri e institucioneve ndërkombëtare që të jenë në frekuenca dhe në favor të sundimit të ligjit dhe luftimit të kriminalitetit”, tha Çollaku.
Milan Radojçiq mori përgjegjësinë për përgatitjen edhe udhëheqjen e sulmit terrorist-paramilitar më 24 Shtator, në Banjskë, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku. Pas sulmit, Radojçiq u strehua në Serbi.