I dyshuari për keqpërdorime harton dokumentin për ligjin e ri për rezervat shtetërore

Përgatiti: Fatlum Jashari

Me arsyetimin se është jotransparent dhe jo i strukturuar mirë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë synon të ndryshojë Ligjin për Rezervat Shtetërore të Mallrave.

Krahas këtij konstatimi, koncept-dokumenti i kësaj ministrie, i nxjerrë në diskutim publik javën e kaluar, në krye të përkufizimit të problemit përmend, siç thuhet, paqartësinë në disa nga termat dhe përkufizimet në ligjin aktual.

Por, emri i parë në grupin punues për hartimin e këtij dokumenti është Hafiz Gara, i cili ishte një nga tre të arrestuarit në muajin Gusht, nën dyshimet për keqpërdorime në rezervat shtetërore.

Ai ishte liruar pas dy javësh dhe është duke vazhduar punën në Ministri, ndërsa është konfirmuar se ndaj tij po vazhdojnë hetimet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Teksa konstatoi se propozimi është në kundërshtim me veprimet e Qeverisë, e cila kishte vendosur për blerje konfidenciale, drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ngre dyshime për mënyrën dhe kohën kur është nxjerrë koncept-dokumenti.

“Ky ligj nuk është paraparë fare për plotësim-ndryshim apo ligj të ri në programin e LV-së, që është miratuar në Kuvend. Po ashtu, nuk është paraparë në agjendën legjislative për vitin 2023 apo vitet e mëhershme, kjo është diçka e re, që duket se është si rezultat i ngjarjeve të fundit, kur patëm arrestime në këtë ministri”, tha Miftaraj.

Pa paragjykuar verdiktin për dyshimet dhe hetimet ndaj Garës, Miftaraj vlerëson se përfshirja e tij në procesin e hartimit të dokumentit, nga i cili mund të burojë një ligj, cenon integritetin e procesit.

“Edhe përkundër se zotëria në fjalë është në proces hetimor, nuk kemi ende as aktakuzë dhe nuk mund të themi se ai është ose jo fajtor, prapëseprapë, në sytë e publikut ngjall reagime, ngjall dyshime, që ky proces të udhëhiqet ose të marrë pjesë një person, i cili gjatë këtij viti është arrestuar nga institucionet e drejtësisë”, tha Miftaraj.

Nën dyshime për keqpërdorime me rezervat shtetërore, krahas Garës, në muajin Gusht ishin arrestuar Irfat Lipovica, po ashtu, zyrtar i MINT-it, dhe biznesmeni Ridvan Muharremi.

Më shumë detaje gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA