Në këtë hapësirë e larg familjeve, i kalojnë ditët rreth 1 mijë e 800 pacientë me probleme mendore.
Qendra e Shëndetit mendor, e vetmja në kryeqytet, përpos që ka pak metra katrorë dhe nuk i plotëson nevojat e pacientëve, ballafaqohet edhe me mungesë stafi.
“Hapësirat janë shumë të vogla për t’i mbuluar këta 1 mijë e 800 pacientë, për shkak se e kemi vetëm një dhomë për qëndrim ditor, nuk mjafton për të organizuar aktivitete të ndryshe, të cilat janë pjesë e rehabilitimit. P.sh. nuk kemi hapësira ku kishim mundur ta bëjmë një terapi të punës. Kemi mungesë edhe të infermierëve”, tha Sami Rexhepi, drejtor dhe neuropsikiatër në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë.
Rexhepi shtoi se viteve të fundit është rritur numri i pacientëve, megjithatë, pavarësisht sfidave të gjitha shërbimet që pacientët i marrin janë pa pagesë.
“Është institucion publik, ne kemi edhe terapi edhe ato janë pa pagesë”, tha Rexhepi.
Qendra e shëndetit mendor është institucion rajonal, i cili përveç Prishtinës, përfshin edhe Podujevën, Obiliqin, Drenasin, Lipjanin e Fushë-Kosovën. /atvlive.tv