Shfrytëzim ilegal në pronën shtetërore

Përgatiti: Armand Hoti

Me rrafshimin e terrenit, ku Gani Demolli synonte të ndërtonte një stallë në Krilevë të Kamenicës, i kontraktuari Milaim Beka, me ekskavatorë, gërmoi edhe në pronë të shtetit.

Beka nuk arriti ta përfundojë atë që nisi, pasi punimet iu ndërprenë nga inspektorët komunalë që njoftuan Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Sipas të dhënave të KPMM-së, Milaim Beka i kontraktuar nga Gani Demolli, pa licencë, eksploatoi afro 100 metra kubë, gurë andezitë, në Pronën Shtetërore Ekonomia Pyjore. Në një përgjigje për ATV-në, tashmë i akuzuari Beka, tha se nuk ishte në dijeni se po gërmonte në tokë të shtetit.

“Nuk e kam ditur, se çfarë guri është. Unë kam hyrë për pronë private, por kur kanë ardhur inspektorët doli që është pronë e shtetit. Unë kam prekur shumë pak në tokë të shtetit”, tha Beka.

Referuar lëndës së përgatitur nga KPMM-ja, inspektimi i datës 20 nëntor në Krilevë rezultoi me sekuestrimin e dy kamionëve dhe një ekskavatori.

Por, sipas të akuzuarit Beka, pajisjet e përdorura gjatë aktivitetit të jashtëligjshëm, i janë kthyer.

“Kamionët i kanë liruar po atë ditë, ndërsa ekskavatorin e kanë mbajtur deri rreth datës 25 nëntor, nëse nuk gaboj”, tha Beka.

Ndërkaq, Gani Demolli, pronari i parcelës që ndodhet ngjitur me pronën shtetërore, konfirmoi se nuk ka poseduar asnjë leje që do t’i mundësonte gërmimin.

Këtë për televizionin e konfirmoi edhe inspektorati komunal.

“I lartcekuri arsyetimin e ka pasur që i duhet për stallë, gjoja se i ka thënë Ministria e Bujqësisë për rrafshim të hapësirës. Kjo përgjigje bie, sepse leja ndërtimore për objektin stallë merret në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Kamenicës. Ai s’e kishte atë leje e as pëlqim për shfrytëzim të hapësirës publike”, thuhet në përgjigjen e inspektoratit komunal.

Policia e ka cilësuar rastin si ‘’Ndotje, degradim apo shkatërrim i mjedisit’’, teksa ndaj dy personave është ngritur kallëzim penal.

“Ju njoftojmë se njësiti i hetimeve të Stacionit Policor Kamenicë në konsultim me prokurorin e shtetit, ka iniciuar rast për veprën penale “Ndotje, degradim apo shkatërrim i mjedisit”. Në lidhje me këtë, ndaj dy personave është ngritur kallëzim penal dhe rasti është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pa dhënë detaje lidhur me kthimin e mjeteve, Prokuroria Themelore në Gjilan ka konfirmuar për ATV-në se tashmë ka pranuar kallëzimin penal.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, për këtë rast, sot, më 01 Dhjetor 2023, ka pranuar kallëzimin penal, nga Policia e Kosovës kundër të dyshuarve M.B dhe G.D. Ky rast do të ndahet në punë te një prokuror, i cili do të vendosë lidhur me veprimet e mëtutjeshme hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Ndërkaq, Inspektorati Komunal ka shqiptuar gjobë prej 800 eurosh ndaj Milaim Bekës. Nëse, gjoba paguhet në afatin e përcaktuar prej dhjetë ditësh, ai do të lirohet nga 50-përqindëshi i pagesës.

Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA