Targat “e humbura” në veri, i hapin rrugë regjistrimit të mjeteve të dyshimta

Përgatiti: Fatlum Jashari

Vetëm muajin e kaluar, më shumë se tre mijë qytetarët në katër komunat në veri të vendit hoqën targat ilegale serbe dhe regjistruan automjetet e tyre në RKS, duke shfrytëzuar mundësinë që u ofron një udhëzim administrativ i MPB-së.

Por, neni 6 i këtij akti nënligjor mundëson regjistrimin e automjetit edhe nëse pronari nuk i posedon targat – duke u shërbyer me një raport policor për humbjen ose vjedhjen e tyre.

Pikërisht në këtë kohë, në veri, janë shtuar rastet e raportimit të humbjes apo vjedhjes së targave dhe dokumenteve të automjeteve.

“Janë rritë raportimet për shembull për dokumente, libreza qarkullimi të humbura, targa të humbura, në përgjithësi këto raporte që kanë të bëjnë sidomos me targat e automjeteve”, tha Veton Elshani, zv.drejtor rajonal i Policisë – Mitrovicë e Veriut.

Duke marrë parasysh mungesën e komunikimit direkt me institucionet e Serbisë, ekspertë të sigurisë vlerësojnë se kjo dispozitë krijon hapësirë për regjistrim të automjeteve të dyshimta, të vjedhura apo që nuk i përmbushin kriteret.

“Mundësia e keqpërdorimit është shumë e madhe. Mos të harrojmë që aty mund të jetë edhe një çështje tjetër, ndoshta qarqe të ndryshme në veriun e vendit tentojnë që targat ilegale ndoshta t’i dërgojnë në Serbi, t’i kthejnë ato, që të mos lejojnë që ato targa të jenë pronë e institucioneve të Kosovës, që t’i dorëzojnë ato. Pra, lojëra të ndryshme”, tha deputeti, njëherit edhe ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj.

“Grupet kriminale të auto-krimeve mund të përdorin këtë vakum institucional-ligjor… Do të duhej të kishte një rishikim të këtij udhëzimi administrativ, që mos t’i jepet fare mundësia e interferimit grupeve kriminale”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

Përkundër mundësisë së verifikimit përmes INTERPOL-it, koloneli në pension Rrahman Sylejmani nuk përjashton mundësinë e keqpërdorimit të këtij akti nënligjor, që ai e vlerëson joshës për komunitetin serb.

“Prej një X pronari, që për shembull shkon e paraqet në stacion policor, e nxjerrë një vërtetim apo raport policor se i kanë humbur, i janë dëmtuar, apo në forma tjera, me atë a fiton të drejtën formalisht për tërheqje dhe regjistrim në sistem të Republikës së Kosovës. Por, çdo veturë, çdo kërkesë i nënshtrohet verifikimit, pak ka mundësi edhe pse fillimisht ndoshta e mundëson që dikush ta vë në lajthitje organin, por ato verifikohen”, tha Sylejmani.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së për këtë çështje e as nuk ka treguar nëse do të shqyrtojë mundësinë e plotësim-ndryshimit të udhëzimit administrativ.

Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA