Përgatiti: Krenare Mulliqi
Ende pa i filluar punimet, Samiti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u largua nga Shkupi.
Blinken u largua menjëherë pas takimit me nikoqirin e samitit, ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Bujar Osmani, para se në këtë samit të vinte shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Samiti i OSBE-së është njëri prej takimeve të rralla në nivel global, në të cilat mori pjesë edhe Rusia. Teksa kryediplomati rus përmendi Kosovën, fjalimi i Sergei Lavrovit u bojkotua nga disa prej ministrave të vendeve pjesëmarrëse.
“Ka qenë në traditën tonë që të kemi fjalime pozitive, por kjo nuk po ndodh sepse OSBE-ja është bërë vegël e Bashkimit Evropian. Në vitin 1999, NATO-ja kreu një agresion brutal të pamaskuar kundër Jugosllavisë – një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe, në vitin 2008, duke shkelur Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu hoq Kosova pa asnjë referendum”, tha Lavrov.
Ndërkohë, Ndihmës-sekretari-amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane, James O’Brien, i ka bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund shkeljes së parimeve të OSBE-së.
“Unë shtoj zërin tim, me atë të kolegëve, të cilët i bëjnë thirrje Rusisë, që t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të kësaj organizate, por nuk jam i sigurt nëse ajo është ende e gatshme të na dëgjojë”, tha O’Brien.
Për sfidat, me të cilat është përballuar OSBE-ja pas agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, si nikoqir i samitit, foli edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dmitri Kovacevski.
“Kam tri mesazhe kyçe si paraardhës. Maqedonia e Veriut mori përsipër kryesimin me OSBE-në, në një kohë lufte aktive dhe një kërcënimi për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare. Agresioni rus kundër Ukrainës shkeli rregullat e kësaj organizate dhe shkeli sigurinë evropiane dhe njerëzore, dialogun dhe shkatërroi jetën e njerëzve që duan të jetojnë të lirë dhe pa frikë nga lufta”, tha Kovacevski.
Në ditën e parë të takimit është paraparë nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore. Ndërkaq, në këtë samit nuk ishte pjesëmarrëse e Kosova pasi kjo organizatë nuk e njeh statusin e saj.