Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar kërcënimet e bëra në drejtim të dy gazetareve Ardiana Thaçi- Mehmeti dhe Erjona Gjikolli, të cilat kanë pranuar kërcënime me jetë ndaj tyre dhe familjarëve të tyre.
Sipas AGK-së, kërcënimi ndaj autoreve të emisionit KIKS Kosova ka ardhur pas një hulumtimi të tyre të bërë në lidhje me këngëtarin Eroll Murati, i cili sipas raportimeve është i përfshirë në mashtrimet me pasaportat sllovene, fajde, si dhe shitjen e makinave të cilat i kishte marrë me qira.
Në një email drejtuar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, gazetaret tregojnë që kanë marrë kërcënime me jetë ndaj tyre dhe familjarëve të tyre, nga një profil i sapo hapur në rrjetin social Facebook.
“Fjalët e përdorura janë tejet shqetësuese meqë përveç ofendimeve dhe gjuhës degraduese, ka përdorur edhe kërcënime të llojit: pak e ki, krejt trrethekum me evlad kan me ti kall me cka ke…”, thuhet ndër të tjera në emailin e dërguar, ku bëhet e ditur se rasti është lajmëruar edhe në Policinë e Kosovës.
AGK gjithashtu tha se kërcënimet e tilla janë shqetësuese, teksa bëri thirrje që organet e drejtësisë që ta trajtojë rastin me prioritet.