Përgatiti: Fatlum Jashari
Kosova duhet të presë së paku edhe një vit për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare Policore – INTERPOL. Qeveria nuk njoftoi për aplikim këtë vit, përkundër zotimeve që ky proces të mbyllej me sukses qysh më 2022.
“Do t’i ndërmarr të gjithë hapat e mundshëm që anëtarësim i Kosovës, vitin e ardhshëm të jetë i sigurt”, kishte deklaruar në shtator të vitit 2021, ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.
Derisa Qeveria heshti lidhur me këtë temë, Kosova nuk figuron në agjendën katër-ditore të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it në Vjenë, që nisi punimet më 28 nëntor.
Në ditën e parë, Republika e Palaut, shtet me rreth 460 metra katror dhe më pak se 20 mijë banorë, u bë anëtarja e 196-të e Interpol-it.
Përkundër vlerësimit se Policia përmbush kriteret për anëtarësim, ekspertë të sigurisë theksojnë se, krahas pengesave nga Serbia, angazhimi diplomatik i Qeverisë ishte i vakët.
Krahas pengesave të ndryshme, gjendja aktuale e komunikimit indirekt të Policisë së Kosovës me INTERPOL-in përmes UNMIK-ut, vonon aspektet operacionale.
Asambleja e Përgjithshme e radhës e INTERPOL-it do të mbahet në nëntor të vitit të Ardhshëm në Skoci. Kosova ka aplikuar për anëtarësim tri herë, më 2015, 2016 dhe 2017 – në dy raste nuk kishte arritur të futej në rend dite, ndërsa herën e tretë ishte tërhequr, në mungesë mbështetjeje.