Përgatiti: Driton Sadiku
Institucionet publike pushuan sot për nder të Ditës së flamurit.
Njësoj vepruan edhe katër komunat në veri të vendit që të martën ishin të mbyllura për palë.
Ndonëse këto komuna për herë të parë udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, asnjëra nga to nuk pati ndonjë organizim në nderim të kësaj feste.
Madje, në disa nga to nuk u ngrit as flamuri kombëtar.
Nga komuna e Leposaviqit, jo zyrtarisht i thanë ATV-së se flamuri kombëtar nuk është vendosur për të mos ngritur tensione. Gjendje e njëjtë ishte edhe në Mitrovicë të veriut.
As në komunë e as përreth nuk u pa ndonjë flamur kombëtar.
Në objekte zyrtare jo, por në ato të improvizuara, në të Zveçanit e Zubin Potokut, flamuri kombëtar valonte përkrah atij të Kosovës.
Në fshatin Kelmend, fshat ky i banuar me shqiptarë, ku edhe është i vendosur objekti i improvizuar i komunës, flamuri kombëtar valonte gjithandej fshatit.
Njësoj edhe në Qabër të Zubin Potoku, si fshat i banuar me shqiptarë.
Kryetari i komunës që vjen nga ky fshat, përmes telefonit, tha se për shkak që shumica e qytetarëve vijnë nga komuniteti serb, nuk janë vendosur flamuj kombëtarë përtej fshatit.
Kësisoj për dallim nga komunat e tjera, në komunat veriore nuk kishte festë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:





