Përgatiti: Driton Sadiku
Këshilli i sigurisë kombëtare së shpejti pritet të bëhet me drejtor.
Qeveria ka bërë gati projektligjin e ri që tashmë ndodhet në konsultime publike, i cili parasheh staf të shtuar.
Drejtori i këshillit do të mbikëqyrë funksionimin e njësive mbështetëse dhe të vlerësojë çështjet e sigurisë, që më pas ato i raporton te kryeministri apo presidentja.
Këto ndryshme janë bërë me qëllim të forcimit të këtij institucioni, sipas njërit nga themeluesit e tij.
“Ky institucion është shumë i rëndësishëm për të reaguar me kohë, në sfidat me të cilat përballet vendi për faktin se në strukturën e saj ka institucione që monitorojnë gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe jo vetëm, dhe në të njëjtën kohë jep raporte të përditësuara, të cilat mundësojnë marrjen e vendimeve me kohë në raport me rreziqet me të cilat përballet Kosova”, tha Bejtush Gashi, profesor/ish-ministër i Punëve të Brendshme.
Projektligji i ri parasheh edhe komisionet që monitorojnë punën e këshillit, e që përveç atyre të përhershme, mund të themelohen edhe të reja varësisht nga rasti.
Ani pse këshilli do të ketë drejtor, mbledhjet mund të thirren vetëm nga Kryeministri dhe Presidentja.
Me projektligjin e ri nga përbërja e këshillit është larguar një nga ministrat e komuniteteve që sipas ish-themeluesit, Bejtush Gashi, paraqiste telashe në vendimmarrje.
“Ne kemi pasur edhe pse nuk ka qenë e domosdoshme por me presion ndërkombëtar, anëtar i këshillit të jetë edhe një ministër nga komunitetet dhe me projektligjin e ri ky defekt është eliminuar për faktin se nuk ekziston kudo një ligj i tillë, për faktin se ai ka ardhur si rezultat i presionit pastaj ka ndikuar drejtpërdrejt në procesin e vendimmarrjes dhe zhvillimeve të tjera brenda kompetencave të këtij këshilli”, tha Gashi.
Këshilli mund të mblidhet në takime të rregullta së paku 2 herë brenda vitit, me raste edhe takime të tjera varësisht nga vlerësimi i situatës së sigurisë.