Përgatiti: Fatlum Jashari
Edhe pse Kosova është nën masa ndëshkuese tash e pesë muaj, Qeveria shpreson që në samitin e radhës të Këshillit Evropian, në Dhjetor, të marrë mbështetje për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke e vlerësuar se Kosova i përmbush të gjitha kriteret, në Qeveri thanë se mos-dhënia e statusit shtet kandidat, edhe gati një vit pas aplikimit, është padrejtësi.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me BE-në dhe shtetet anëtare, duke kërkuar që të trajtohet aplikimi për anëtarësim i Kosovës, i dhjetorit të vitit të kaluar. Ne mirëpresim hapa tutje nga Bashkimi Evropian në këtë drejtim… Statusi i kandidatit për Kosovën nuk do të thotë njohje dhe nuk kërkon njohje nga të gjitha vendet anëtare, prandaj edhe nuk ka arsye apo pengesë për dhënien e statusit të kandidatit”, thanë nga zyra e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Liderë të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare, kanë përsëritur se procesi i integrimit të Kosovës është i lidhur kryekëput me përparimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Krahas vlerësimit se mos-dhënia e statusit vend kandidat është e padrejtë, ish-ministri për Punë të Jashtme, deputeti Enver Hoxhaj, tha përveç BE-së me gjysmën e saj, gjysmën e përgjegjësisë e ka Qeveria, e cila, sipas tij, e ka reduktuar politikën e jashtme në dialogun me Serbinë.
“Të gjitha hapat e gabuar që i ka ndjekur në dy vjetët e fundit kanë prodhuar një situatë që Kosova është në sanksione dhe askujt në BE nuk i bie ndërmend ta trajtojë aplikimin tonë, para një viti, për ta marrë statusin e kandidatit. Dhe jam i sigurt, sa të jetë Albin Kurti në Qeveri, Kosova nuk lëvizë në agjendën e integrimit euro-atlantik”, tha Hoxhaj.
Ndryshe nga Këshilli i Evropës, ku Kosova tashmë ka kaluar fazën e parë, nuk ka përparim konkret lidhur me Partneritetin për Paqe, që është mekanizëm i para-anëtarësimit në NATO.
“Në vitin e ardhshëm do të përgatitemi, natyrisht, që sa më shumë të integrohemi në mekanizma ndërkombëtarë, e një synim të veçantë e kemi partneritetin për paqe”, kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti.
Pavarësisht përmbushjes së kritereve, Hoxhaj vlerëson se vullneti politik i partnerëve ndërkombëtarë është vendimtar për proceset anëtarësuese.
“Qasja e kryeministrit që t’i thotë po statutit të Asociacionit të komunave, pa e ditur opinioni publik, pa e ditë unë si deputet i Kuvendit të Kosovës, çka përmban ky draft-statut i Asociacionit, pa transparencë. Por, edhe në të njëjtën kohë të mos e zbatojë dhe të njëjtën kohë t’i qetë në lajthitje partnerët tanë, tregon që ata nuk e marrin seriozisht z. Kurti dhe kur partnerët nuk të marrin seriozisht, natyrisht se nuk ke mbështetje”, tha Hoxhaj.
Në Maj të vitit të kaluar, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në Dhjetor për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian, ndërkaq ende nuk ka aplikuar për Partneritetin për Paqe.