Përgatiti: Arian Hajdaraj
Afro 15 kilometra larg Suharekës, në udhëkryqin që lidh fshatrat: Budakovë, Jezerc e Devetakë, është gjetur vetura që përdorën grabitësit e argjendarisë të mërkurën mbrëma.
Megjithatë, 4 të dyshuarit vazhdojnë të jenë në arrati, derisa hetimet për rastin vazhdojnë. Ndërkohë, Policia ende nuk i ka arrestuar as të dyshuarit për grabitjen në Ferizaj.
Duke llogaritur grabitjet e njëpasnjëshme, njohës të punës së Policisë dhe drejtësisë sugjerojnë që hetimet duhet të intensifikohen.
“Kjo tregon se nuk kanë të dhëna konkrete. Dhe grupi tani trimërohet dhe mund të pritet një tjetër grabitje…”, tha Rrahman Sylejmani, kolonel në pension.
“Po shohim shtimin e grabitjeve dhe natyrisht që shteti duhet të vihet në lëvizje për t’i përfunduar në kohë optimale hetimet. Në të kundërtën do të kemi inkurajim për grupet kriminale”, tha Valdet Hoxha, avokat, ish-zëvendësministër i mbrojtjes.
Përveç intensifikimit të hetimeve, me qëllim të menaxhimit më të mirë në raste të tilla, propozohet që krahas trajnimeve policëve t’u vihen në dispozicion armë të gjata.
“Paralelisht me hetimet do të duhej që të trajnohen policët për përdorimin e armëve të gjata nga ana e policisë dhe pajisjen e menjëhershme të stacioneve policore, sepse një reagim me kohë…”, tha Hoxha.
“Policia e Kosovës duhet të veprojë në dy drejtime, e para duhet të krijojë një task-forcë e cila merret me veprimet e tilla, por në anën tjetër do të duhej që departamenti për siguri publike të ketë një shtim më të madh të personelit policor, të uniformuar edhe civil”, tha njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala.
Në grabitjen në qendër të Suharekës, grabitësit vodhën ar në vlerë prej 200 mijë eurosh dhe plagosën një polic.