Kryeministri Albin Kurti, tha se institucione e Kosovës i kanë mundësitë të kufizuara që të ndikojnë në Gjykatën Speciale në Hagë, raporton Ekonomia Online. Duke komentuar vendimin për ndalimin e vizitave dhe telefonave për ish-krerët e UÇK-së, ai tha se ndikimi i tyre është tejet i vogël.
Por që tha se bashkë me kreun e Kuvendit, Glauk Konjufcën, po punojnë në këtë drejtim.
“Sigurisht qe bëhet fjalë për zhvillim negativ meqenëse e pësojnë familjet më të dashurit e atyre që po mbahen mbi 3 vjet në Hagë”.
“Unë këtë dje e kam marr vesh nga deputetja Shqipe Selimi që është bashkëshortja e gjeneralit të UÇK-së Rexhep Selimi dhe njëkohësisht e kemi diskutuar edhe me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufcën, këtë zhvillim negativ. Ju e dini që ne i kemi mundësitë e kufizuara për të pasur çfarëdo ndikimi mirëpo natyrisht jemi duke menduar se si mund të ndihmojmë”.
Gjykata Speciale e Hagës, më saktësisht Qendra e Paraburgimit, i ka ndaluar të gjitha telefonatat dhe vizitat për ish-krerët e UÇK-së.
Atyre vetëm u është thënë se “me keqardhje i njoftojnë që vizitat janë anuluar”. As familjarët e as miqtë nuk kishin pranuar asnjë sqarim tjetër.
Ata që kishin vizita të aranzhuara kishin paguar biletat e hotelet, dhe kishin kryer fluturimet. Por në fund, vizita nuk u bë.
Arsyet pse ka ndodhur një situatë e tillë ende nuk dihen. Megjithatë, kjo vjen disa ditë pasi Prokuroria e Hagës pati disa aksione, arrestime e bastisje, me arsyetimin e “pengimit të drejtësisë”. Por, nuk dihet nëse ndalesa e vizitave e telefonatave ndërlidhet diçka me këtë qëllim.