Shkarkimi i pazakontë i anëtares së bordit të OShP-së: Sa u respektua ligji?

Nga Demokraci Plus

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) është themeluar me Ligjin e prokurimit publik (LPP) si organ i pavarur administrativ i cili është përgjegjës për shqyrtimin e ankesave në prokurim publik nga kompanitë e sektorit privat (të njohura si operatorë ekonomik). Pra, OShP është organ kolegjial i mandatuar me ligj për shqyrtimin e ankesave në shkallë të dytë që vijnë nga operatorët ekonomik kundrejt autoriteteve kontraktuese (ministrive, komunave, agjencive, etj).

OShP ka statusin e agjencisë së pavarur në varësi të Kuvendit, ka pesë (5) anëtarë të cilët emërohen nga Kuvendi dhe përmes komisionit funksional, raportojnë në Kuvend. Komision funksional në rastin e OShP-së është Komisioni për Buxhet, Financa, Punë dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës.

Kur një operator ekonomik parashtron ankesë në formë të shkruar në OShP lidhur me ndonjë vendim të marrë nga autoriteti kontraktues, OShP-ja ka mandat të shqyrtojë dhe të vendos për pretendimet ankimore. Pas përfundimit të shqyrtimit, OShP nxjerrë vendim me shkrim që adreson ankesën specifike (pretendimin e palës) dhe aktivitetin shoqërues të prokurimit.

Nëse pala (operatori ekonomik) nuk është i kënaqur me vendimin e OShP-së që zgjidhë ankesën, pala mund të inicojë ankesë në gjykatën kompetente (gjykatën komerciale). OShP njihet si një prej organeve/agjencive e cila shumë shpesh ka funksionuar pa bord të kompletruar.

Pas një mungese të bordit për një periudhë kohore prej afërsisht 15 muaj, bordi i ri i OShP u emërua në Kuvend në qershor 2022. Mirëpo, bordi i ri mbeti shumë shpejt pa një anëtar shkaku që një prej tyre (Nita Bejta) dha dorëheqje katër muaj pas emërimit në Kuvend (tetor 2022).

Për më keq, Qeveria e Kosovës në muajin maj 2023 inicioi shkarkimin e anëtares tjetër, Kimete Gashit. E njëjta me 13 korrik të këtij viti me votën e 58 deputetëve të Kuvendit të Kosovës u shkarkua nga pozita e anëtarit të bordit të OShP-së. Ky proces u përcjell me shumë polemika si brenda Kuvendit poashtu edhe në opinionin publik, duke ngritur pikëpyetje se si u iniciua ky rast, ngase nuk u respektua neni 93 i LPP-së, i cili definon qartë se në cilin rast iniciohet shkarkimi i një anëtari të bordit të OShP-së.

Qëllimi i këtij dokumenti të shkurtër është të trajtojë këtë fakt kundrejt rregullave të LPP-së sa i përket shkarkimit të anëtarit të OShP-së, por edhe të Ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura (LOFAShAP). Pra, përveç LPP-së si ligj sektorial, edhe LOFAShAP trajton elementin se kur duhet dhe mund të shkarkohet anëtari i organit kolegjial i agjencisë së pavarur2.

Propozimi nga Qeveria për shkarkimin e anëtarës së bordit të OShP në kundërshtim me LPP

Qeveria e Kosovës më 10 maj 2023 i propozoj Kuvendit të Kosovës shkarkimin e një prej anëtarëve të bordit të OShP-së për shkak të tenderit për Insulina të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh). Sipas LPP-së, pezullimi dhe shkarkimi i anëtarit të OShP-së i nënshtrohet të njëjtave rregulla dhe procedura të parapara sikurse për anëtarët e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Pra, sipas nenit 933 të LPP-së: ‘nëse në çdo kohë, Qeveria apo Kuvendi, konsiderojnë se ka arsye për largimin e një anëtari të KRPP-së (lexo OShP-së), mund të paraqesin çështjen për vendim në gjykatën kompetente, duke dhënë arsye që e vërtetojnë këtë dhe të gjitha dokumentet e provave të kërkuara nga gjykata’. Përkundrazi, në rastin e anëtarës së bordit të OShP-së, propozimi për shkarkimin e saj erdhi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ku iu propozua Kuvendit shkarkimi i saj me arsyetimin se ka shkelur etikën profesionale, por pa ofruar dëshmi apo ndonjë vendim gjykate, siç e saktëson neni 93 i LPP-së4.

Vendimi i Qeverisë për shkarkimin në fjalë ka këtë përmbajtje: ‘Organi Shqyrtues i Prokurimit, me rastin e vendimmarrjes sipas lëndës PSh Nr.397/22, në kundërshtim me legjislacionin primar, konkretisht Ligjin Nr.04/L-190 për Produkte dhe Pajisje Medicinale, tenton të lejojë plasimin në treg të insulinave pa autorizim marketingu, duke rrezikuar kështu shëndetin publik. Marrë parasysh që udhëhegësinë e panelit në këtë lëndë e kishte znj. Kimete Gashi, Qeveria vendos si në dispozitiv të këtij Vendimi, dmth propozim shkarimin e saj’.

Mirëpo, vendimi i OShP-së në rastin e insulinave nuk ka qenë përcaktues pasi që lënda vetëm është kthyer në ri-vlerësim në autoritet kontraktues (Ministrinë e Shëndetësisë) dhe nuk është marrë vendim final për të. Megjithatë, propozimi i Qeverisë u dërgua në Kuvend ku edhe u votua në korrik 2023. Në të njëjtin muaj, subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e dërgoi vendimin e Kuvendit për vlerësim të kushtetuteshmërisë dhe ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese.

Propozimi nga Qeveria për shkarkimin e anëtarës së bordit të OShP në kundërshtim me LOFAShAP

Të drejtën e definimit të kritereve për shkarkim të anëtarit të organit kolegjial përmes ligjit të veçantë, e njeh edhe LOFAShAP. Sipas këtij ligji (neni 46, paragrafi 1), kushtet për emërimin e titullarit apo anëtarit të organit kolegjial të një agjencie të pavarur, përcaktohen me ligjin e themelimit të agjencisë. Po ashtu, procedura e shkarkimit të titullarit dhe anëtarit të organit kolegjial përcaktohet me ligjin e themelimit dhe Rregulloren e Kuvendit (neni 47). Pra, në rastin e OShP-së i bije me Ligjin e Prokurimit Publik. Po ashtu, procedura e zgjedhjes, miratimit dhe dhënies së pëlqimit për titullarin dhe anëtarin e organit kolegjial përcaktohet me ligjin e themelimit.

Pra, siç vërehet, procedura e ndjekur në shkarkimin e anëtares së bordit të OShP-së nuk ka qenë sipas ligjit sektorial. Për më shumë, LOFAShAP e rregullon sistemin e menaxhimit të performancës së agjencive, qofshin ato ekzekutive, rregullatore apo të pavarura. Në rastin konkret, pra të agjencive të pavarura sic është rasti me OShP, veprimtaria e agjencisë mbikëqyret në mënyrë të përhershme nga një komision i Kuvendit, që e mbulon fushën e përgjegjësisë përkatëse, në rastin e OShP-së, Komisioni për Buxhet, Financa, Punë dhe Transfere.

Sistemi i menaxhimit të performancës sipas këtij ligji lidhet me dakordimin e planit vjetor të performancës në mes të agjencisë dhe komisionit përkatës dhe agjencia raporton vitin vijues përmes raportit të performancës. Pra, fillimisht agjencia propozon një draft të planit deri më 30 nëntor të vitit përkatës, pastaj objektivat, treguesit dhe caqet diskutohen dhe dakordohen me komisionin përkatës funksional deri më 31 dhjetor të vitit përkatës. Pas miratimit të planit të performancës, agjencia raporton brenda tre mujorit të parë të vitit pas vitit për të cilin është bërë plani i performancës, përmes raportit vjetor të performancës.

Pra, mos arritja e nivelit të kënaqshëm të caqeve sipas planit të performancës për dy vite radhazi, është arsye që Komisioni funksional të propozoj Kuvendit shkarkimin e komplet bordit të agjencisë së pavarur. Por, edhe nëse do të ishte për çështje performance të dobët, Qeveria prapë nuk e ka të drejtën t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e anëtarit të OShP-së. Siç thuhet në nenin 93 të LPP-së, Qeveria mundet të iniciojë çështjen e shkarkimit në Gjykatën kompetente dhe atë me prova, dhe jo në Kuvend e pa prova, ashtu siç ka ndodhur në këtë rast.

Procedura e shkarkimit të anëtarës së bordit të OShP-së është e pazakontë ngase as ligji sektorial (LPP) e as ligji për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura (LOFAShAP) nuk parashohin një procedurë të tillë. Pra, në këtë rast Qeveria kishte kërkuar nga Kuvendi shkarkimin e saj kurse LPP thotë që Qeveria mund të kërkojë nga Gjykata kompetente shkarkimin e saj.

Në anën tjetër, LOFAShAP përcakton që si emërimi ashtu edhe shkarkimi i anëtarit të organit kolegjial të agjencisë së pavarur bëhet në pajtim me ligjin sektorial. Po ashtu, ky ligj favorizon sistemin e menaxhimit të performancës si kriteri kryesor apo bazë në bazë të të cilit komisioni funksional mund të inicojë kërkesën për shkarkimin përmes votimit në seancë, të bordit apo anëtarit të bordit të agjencisë së pavarur.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA