Me të filluar seanca e së enjtes, Partia Demokratike e Kosovës kërkoi plotësim-ndryshim të rendit të ditës.
Kjo parti me anë të një mocioni kërkoi që pikë e parë e seancës të jetë raportimi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mbi arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Mocioni i PDK-së mori 45 vota kundër, ndërsa 32 për, përfshirë edhe njërin nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Me të përfunduar deklarimet jashtë rendit të ditës, PDK-ja lëshoi sallën.
Ndërkaq, çështje tjetër bëri që sallën ta lëshojnë edhe dy partitë e tjera opozitare, LDK e AAK.
“Sjellja e papërgjegjshme e ministrit të Financave duke tentuar me çdo kusht ta marrë buxhetin e komunave, na pamundëson që ne të jemi konstruktivë në seancat e Kuvendit”, tha deputeti i LDK-së, Arben Gashi.
“Kuvendi i Kosovës është i bllokuar ose nëse ka një qasje strategjike politike për ta bllokuar, ose për shkak të mosdijes, moskonsultimit, mostrajtimit nga ministri i Financave”, tha deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.
Ndërkohë, për dallim nga tri seancat e tjera që dështuan në mungesë të kuorumit, pozita, si parti në pushtet, e vetme arriti t’i votojë disa nga pikat e rendit të ditës.
Por disa, jo.
Kundërshtime nga vetë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje pati për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
“Unë s’muj me çu dorën për një ligj që s’kemi asnjë analizë për asnjë ndërtesë”, tha deputeti i LV-së, Dimal Basha. /atvlive.tv