Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Finlandë.
“Me ftesë të qeverisë finlandeze, Presidentja Osmani krahas krerëve shtetëror nga vende të tjera të botës do të marrë pjesë në varrimin e ish-presidentit të Finlandës dhe kryenegociatorit për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari.
Në delegacionin shtetëror të Presidentes do të jetë edhe ish-Presidenti Fatmir Sejdiu” ka bërë të ditur Presidenca.
Funerali i presidentit Ahtisaarit do të mbahet më 10 nëntor.
Ahtisaari ka qenë i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, i ngarkuar për organizimin e negociatave të procesit të statusit të Kosovës. Mbi planin që ai hartoi, u shpall edhe pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008.