Sot është bërë një muaj nga sulmi terrorist serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Policia e Kosovës, në orët e para të mëngjesit, të dielës së 24 shtatorit, rreth orës 03:00, është sulmuar me arsenal armësh, si pasojë e të cilit mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. Situata vazhdimisht ishte e tensionuar për shkak të të shtënave me armë mes grupit të armatosur dhe policisë.
Autoritetet e Kosovës thanë se personat e maskuar, rreth 30 sosh, ishin vendosur brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës. Nga ky sulm terrorist u bë e ditur se tre terroristë serbë janë vrarë, dje disa të tjerë të përfshirë në sulm u arrestuan, disa nga të cilët më pas u liruan.
Reagimet nga faktori ndërkombëtar ishin të menjëhershme duke dënuar këtë sulm. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ishte ndër të parët që reagoi duke dënuar fuqishëm aktin.
Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës.
Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash, përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.
Një muaj pas kësaj ngjarje, partia më e madhe e serbëve të Kosovës “Lista serbe” sot mban zgjedhjet brenda partisë.