Përgatiti: Fatlum Jashari
Vërejtjet publike për “mos-mbajtje të fjalës”, që presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri ndaj Kosovës, nuk përbëjnë risi për presidenten Vjosa Osmani.
Ajo njoftoi se këto shqetësime janë adresuar në takimin bilateral me homologun francez, më 5 Tetor në Spanjë.
“I kam diskutuar të gjitha këto me presidentin Macron, gjatë takimit tonë në Granadë, dhe besoj që do të kemi mirëkuptim në tejkalimin e sfidave”, tha Osmani.
Megjithatë, opinionistë vlerësojnë se vërejtjet publike nga presidenti francez janë paralajmërim për shtim presioni dhe qasje më të rreptë në kërkesat për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit. Nuk përjashtohet mundësia që presioni ndaj Kosovës të ndërlidhet edhe me proceset integruese në Këshillin e Evropës, në BE, apo në NATO.
“Edhe pse Franca, në përgjithësi, është një përkrahëse e Kosovës për anëtarësim në këto organizata, por mund të pritet presion më i madh nga Franca ndaj Kosovës, pikërisht për shkak të përpjekjeve të Serbisë për t’i kultivuar marrëdhëniet me Francën”, tha profesori Seb Bytyçi.
Krahas raportit vlerësues të ekspertëve të Këshillit të Evropës për Kosovën, ish-ministrja për Integrim Evropian, Mimoza Ahmetaj, theksoi se sjelljet dhe veprimet e institucioneve do të kenë pasoja në qasjen e shteteve dhe të BE-së.
“Ndërkohë, raportuesja për Kosovën në këtë Asamble, Dora Bakoyannis, politikane greke me influencë, do të jetë në vizitë në ditët në vazhdim në Kosovë. Dhe, sigurisht që do të diskutohet edhe për situatën e sigurisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat serbe në veri, pra, zgjedhjet (vota e lirë) janë një ndër elementet themelore demokratike në një vend. Kjo, sigurisht që ndërlidhet me gjendjen e tanishme politike dhe të sigurisë në vend dhe dialogun me Serbinë, dhe mund të përdoret si argument shtesë në raportin e sipërpërmendur”, tha Ahmetaj.
Ndikimi i rrethanave aktuale, sipas saj, do të vërehet veçmas në procesin e anëtarësimit në programin e NATO-s, Partneriteti për Paqe.
“Sa i përket NATO-s, PFP (Partneriteti për Paqe), nuk bën sens të mendohet në këtë kohë për ndonjë avancim në raportet me NATO-n, kur NATO-ja është duke dërguar trupa shtesë në Kosovë, për shkak të rrezikut të eskalimit të situatës së sigurisë. Pra, ne jemi duke u larguar nga ky proces, sepse NATO-ja edhe më tutje është garantues i sigurisë”, tha Ahmetaj.
Teksa u kërkoi liderëve shtetërorë të Kosovës dhe atyre të Serbisë të nisin zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit, presidenti i francez, Emmanuel Macron, tha se pret që të dyja palët të ecin përpara në javën e ardhshme.
Veprimet në radhë, sipas tij, duhet të jenë: zgjedhjet e reja në katër komunat në veri të Kosovës, pjesëmarrja e komunitetit serb në to dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.