Më 21 tetor, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Italisë dhe Francës do të shoqërojnë përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, në takimet në Kosovë dhe Serbi.
Qëllimi i vizitës në Kosovë dhe Serbi i përfaqësuesve të pesë shteteve kryesore, sipas diplomatëve në Bruksel, është përpjekje “të shpëtohet procesi i dialogut” dhe Marrëveshja drejt normalizimit, e arritur më herët gjatë këtij viti, shkruan Evropa e Lirë.
Burimet në Bruksel thanë se “është i domosdoshëm angazhimi i vendeve të mëdha të BE-së krahas Shteteve të Bashkuara për të shpëtuar dialogun pasi fuqia e përfaqësuesve të BE-së në këtë drejtim nuk do të ishte e mjaftueshme”.
Vizita në Kosovë dhe Serbi e grupit që njihet si “Pesëshja e madhe” është e para që nga sulmi i 24 shtatorit kundër policisë në Banjskë.