13.6 C
Pristina
E premte, 20 Shtator, 2024

Kërkohet rritja e numrit të psikologëve dhe profesionistëve të shëndetit mendor

Përgatiti: Sara Shehu

Me fillimin e javës në kuadër të shëndetit mendor, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, me moton “Është okej të mos ndihesh okej”, ka organizuar një tryezë diskutimi me panelistë të fushave profesionale, që lidhen me shëndetin mendor, kushtuar nxënësve.

Shëndeti mendor konsiderohet çështje e gjerë për të cilën psikologët e shkollave duhet të angazhohen më shumë.

“Shëndeti mendor është i rëndësishëm në çdo fazë të jetës. Zhvillimi i programeve, krijimi i një kulture shkollore, shkollë – familje dhe komunitet duhet t’i jepet një rëndësi. Kemi me punu ma shumë që çerdhet dhe shkollat të mësojnë më shumë në promovimin e shëndetit mendor”, tha shefi i DKA-së në Prishtinë, Lulzim Vrapça.

Por, psikologët e shkollave thonë se në punën e tyre nuk kanë sistem adekuat për trajtimin e nxënësve me probleme të kësaj natyre.

“Është një çështje komplekse dhe faktor të shumtë janë që çojnë deri në këtë situatë, por mundësitë e tona lënë për të dëshiruar në përmirësimin e kësaj gjendjeje”, tha Valdet Pakolli, psikolog në shkollën “Hasan Prishtina”.

Edhe Mimoza Shahini, psikiatre në QKUK, e cila trajton rastet më të rënduara, tha se çdo shkollë duhet të këtë programe të veçanta që funksionojnë për nxënësit që vuajnë nga shëndeti mendor.

“Shkollat urgjent të marrin masa se fëmijët duhet të evidentohen në parashkollor e jo para se të bëhet vonë, harroni vjershat që i kemi maltretu fëmijët me lexu poezi para neve. Kjo është absurde për shëndetin mendor të fëmijëve, shkolla duhet ta ketë vendin ku duhet, me u socializu, çka është hierarkia këto gjëra duhet me i ba në shkollë. Psikologu shkollor ka të bëjë me promovimin e shëndetin mendor të fëmijëve nëse fëmija nuk është i lidhur me shkollën atëherë është e rëndë”, tha Shahini.

Pjesë e debatit ishin edhe përfaqësuesit e prindërve së bashku me nxënësit, të cilët thanë se rrjetet sociale janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në shëndetin mendor të fëmijëve.

“Prindërit të kenë një komunikim më të hapur me fëmijët, meqë ka faktorë të shumtë që duhet të diskutohen, bullizmi në rrjetet sociale, që është një realitet në të cilin po jetojnë. Si shoqëri duhet të kemi një alarm se ku po shkojnë fëmijët tanë”, tha Fisnik Durguti, përfaqësues i prindërve.

“Mënyra se si na vinë problemet me shëndetin mendor janë të ndryshme. Rrjetet sociale, stresi shkollor, bullizmi po ndikojnë në përkeqësimin e shëndetit mendor. Psikologët duhet të punojnë me shëndetin mendor tek adoleshentët”, tha Anita Asllani, nxënëse.

Njëkohësisht Dita Botërore e Shëndetit Mendor ka bashkuar rreth 450 psikologë nga Kosova e Shqipëria, të cilët kanë organizuar edicionin e pestë të Kongresit Ndërkombëtar me moton “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja”.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA