Presidenti zviceran Alain Berset deklaroi sot, përpara fillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Granada, se vendi i tij dëshiron një Ballkan Perëndimor paqësor dhe të qëndrueshëm, njofton gazeta zvicerane në shqip ‘Le Canto27.ch’ duke ju referuar burimeve nga Berna.
‘Një situatë e qëndrueshme në Ballkan është e rëndësishme për Zvicrën’, tha presidenti zviceran.
Situata midis Serbisë dhe Kosovës, megjithatë, ka qenë e tensionuar për një kohë të gjatë: “Kjo nuk është e re”, tha Alain Berset për Keystone-ATS të enjten në Granada, citon Le Canton27.ch
Ai ka folur për këtë temë gjatë javëve të fundit si me presidentin serb Aleksandar Vuçiq ashtu edhe me kryeministrin kosovar Albin Kurti. Në margjinat e samitit të Granadës janë planifikuar edhe përpjekje për ndërmjetësim diplomatik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Presidenti i Konfederatës nënvizoi gjithashtu rëndësinë e samiteve të tilla për mbajtjen e kontakteve me krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive evropiane. Ai ka planifikuar disa takime dypalëshe dhe mundohet të flasë sa më shumë me secilën prej tyre. Ky është i vetmi samit në Evropë në të cilin Zvicra është e ftuar në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive.