Përgatiti: Nora Luta
Kjo ka qenë përgjigjja më e shpeshtë e deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, gjatë dëshmisë së tij në rastin e 53-milionëshit.
Hoti ka qenë shumë i rezervuar të japë vlerësime financiare rreth kostos dhe nënshkrimit të aneks-kontratës për zgjatjen e punimeve në autostradën që lidh Prishtinën me Shkupin.
Deputeti që kishte ardhur në postin e ministrit të Financave, pasi ishte nënshkruar kontrata me Bechtel Enkën, kishte qenë anëtar i Komitetit ndërministror, është pyetur edhe për dallimet e kostos financiare të dy kontratave për zgjatjen e afatit të punimeve për të njëjtën periudhë kohore.
Ai tha se autoriteti kontraktues ka pasur për obligim t’i zbatojë rekomandimet e kompanisë për mbikëqyrjen e punimeve.
Hoti, aktualisht deputet LDK-së, është ballafaquar me pyetje edhe nga trupi gjykues. Ai ka theksuar se nuk është mbetur pa u paguar asnjë faturë rreth shpenzimeve për autostradën.
Gjykimi në këtë rast pritet të vazhdojë gjatë muajit nëntor, ku është në plan të dëshmojnë përfaqësuesit e “Betchel Enkes” dhe “Hill International”.
Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror, bashkë me të akuzuarit e tjerë, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, në vlerë prej rreth 53 milionë eurove.
Para ishin paguar për kompaninë amerikano-turke “Bechtel&Enka” në emër të penalltive për vonesat në ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, Prishtinë – Hani i Elezit, derisa opinioni i kompanisë mbikëqyrëse “Hill” kishte rekomanduar vlerën mbi 14 milionë.