Përgatiti: Sara Shehu
Numri i rasteve të reja të kancerit në gji në Kosovë ka shënuar rritje. Në bazë të statistikave nga Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare, në nëntë muajt e fundit 332 paciente janë diagnostikuar me kancer të gjirit.
Gratë që po luftojnë me këtë sëmundje nuk janë vetëm dhe ato do ta kenë gjithmonë mbështetjen e Qeverisë, tha kryeministri Albin kurti në hapjen e fushatës, me moton “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë”.
“Ne këtë betejë për jetë, ministria po vepron në zgjerimin e hartës së shërbimit të kimioterapisë në Spitale Rajonale. Kosova sot ka dy pajisje të teknologjisë së fundit për radioterapi. Në nëntë muajt e fundit, 332 pacientë janë diagnostikuar me kancer të gjirit. U bëj thirrje të gjithëve për kontrolle të vazhdueshme. Të gjitha grave që po luftojnë me vendosmëri për jetën, iu themi se nuk janë vetëm dhe se sëmundjen do ta mundim bashkë”, tha Kurti.
Duke folur për rëndësinë e edukimit të grave rreth faktorëve të rrezikut dhe ndryshimeve të zakonshme të gjirit, për parandalimin e kancerit të gjirit, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shtoi se do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar qasje sa më të lehtë në shërbimet shëndetësore.
“Synimet nuk mund të arrihen pa e rritur financimin për shëndetësinë, të cilën Qeveria jonë e ka bërë duke ngritur buxhetin në 300 milionë euro dhe duke bërë investime onkologjike përmes sigurimit… Të gjitha këto veprime janë detyrim i yni, po ritheksojmë faktin se edukimi i grave dhe komuniteteve rreth faktorëve të rrezikut dhe ndryshimeve të zakonshme të gjirit është kyç për parandalimin e kancerit të gjirit”, tha Vitia.
Nga ana tjetër, Nafije Latifi, drejtoreshë e organizatës “Jeta Vita”, tha se mungon përkrahja institucionale për gratë e prekura nga kjo sëmundje malinje.
“Ngarkesat e mëdha dhe të çdoditshme me numër të madh të pacienteve, rreth 200 në ditë, dhe mundësitë e pamjaftueshme me staf, me pak shtretër e salla për trajtim me kimioterapi dhe mungesat e shpeshta me barna janë pengesa serioze për trajtimin më dinjitoz të pacientëve të Klinikes Onkologjike. Me ç’rast po e përmendi edhe kërkesën që gratë e operuara nga kanceri i gjirit, nga institucionet t’iu mundësohet mbulimi i shpenzimeve nga institucionet për ristrukturim të gjirit”, tha Latifi.
Menaxhmenti i klinikës së Onkologjisë në QKUK ka paralajmëruar se numri i rasteve të prekura nga kanceri i gjirit, deri në fund të vitit mund të arrijë në 450.
Ndryshe, onkologët u apelojnë grave dhe vajzave që të bëjnë sa më shumë kontrolle, në mënyrë që edhe zbulimi i sëmundjes të jetë sa më i hershëm.