Përgatiti: Fatlum Jashari
Në ditën e pestë të operacionit, në fshatin Banjskë të Zveçanit, Policia vazhdoi me angazhimet e saj hetimore, lidhur me sulmin terrorist nga i cili u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të zyrtarë të tjerë policorë.
Krahas specialëve, të cilët janë vendosur përgjatë rrugëve, në fshat e përreth manastirit, dhe kujdesen për sigurinë, Policia angazhoi edhe njësi të tjera të specializuara në kërkim dhe hetim.
“Situata në përgjithësi në këtë fshat dhe në krejt rrethinën është e qetë, këtë mund ta konfirmoj. Gjithçka në rregull… Operacioni policor vazhdon, nuk do të thotë që ka përfunduar në përgjithësi. Sot ju e shihni njësinë policore me qen, të cilët kohë pas kohe e frekuentojnë terrenin malor dhe në vende të caktuara, të dyshimta, bëjmë verifikime”, tha zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Veton Elshani.
Hetimet po vazhdojnë kryesisht në malet përreth dhe shtigjet që terroristët i përdorën për të ikur.
“Për gjithçka, trupa, armë, municion, eksploziv, çdo gjë që mund të hasim, çdo gjë që kemi gjetur herën e kaluar, nëse ka ende”, tha Elshani.
Puna e Policisë vazhdoi edhe në vend-pritën ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku.
Teksa kontrollet e kohëpaskohshme të automjeteve vazhdojnë, rrugët janë hapur për qarkullim.
Megjithatë, i mbyllur mbetet Manastiri dhe ndërtesa përcjellëse në të cilën u pa nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojicic.
Krahas Policisë së Kosovës, në intervale të caktuara te ky monument fetar ortodoks qëndrojnë edhe ekipe të KFOR-it dhe EULEX-it.
Ndërsa, rrugëve malore që shpijnë kah kufiri me Serbinë, përveç Policisë, u panë edhe patrullime nga KFOR-i.