Përgatiti: Sara Shehu
Ndonëse me Ligjin e ri për Paga, mjekët dhe specialistët kanë pagën më të lartë në rajon, punëtorët shëndetësorë vazhdojnë të jenë të pakënaqur.
Teksa kërkojnë ndryshime në Ligjin për Pagat, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se është e pamundur që kërkesat e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të realizohen.
“Me Federatën deri tani kemi pasur shumë takime, mirëpo nuk janë shumë sa ka nevojë, kërkesat e federatës janë ato që janë. Ne ju kemi treguar që për disa kërkesa përkundër faktit që i mirëkuptojmë, momentalisht nuk janë të realizueshme”, tha Vitia.
Por përkundër kësaj, Vitia tha se do ta vazhdojnë dialogun me Federatën për gjetjen e gjuhës së përbashkët.
“Ndoshta jo me dinamikën e nevojshme, por dialogu social po vazhdon dhe me padurim po pres që përkundër shumë mospajtimeve që i kemi, do ta përfundojmë këtë dialog me një kontratë, atë që do ta nënshkruajmë si kontratë kolektive. Nuk do të nënshkruajmë kontratë që do të duket që Ministria ka nënshkruar diçka e kur vjen puna te zbatimi dalin 100 e 1 mijë probleme. Shpresoj që në takimin e radhës të jemi disa hapa para”, tha Vitia.
Nga ana tjetër, Kryetarja e FSSHK-së, Tevide Imeri, tha se zbritja e pagave nuk duhet të zbatohet.
“Pakënaqësia ime është zbritja e pagave, sidomos në stafin mbështetës, kërkoj qe kjo mundësi të mos zbatohet, zbritja e pagave mos të bëhet për shkak edhe të inflacionit, çmimet janë rrit pothuajse 100%”, tha Imeri.
Kurse, Burim Tahiri, nga Zyra e Avokatit të Popullit, ka shtuar se kanë regjistruar edhe ankesa për këtë ligj.
“Ne si institucion procedurën e hartimit dhe miratimit të këtij ligji, jemi mundu me përcjell, pas miratimit të këtij ligji janë disa pozicione që kanë përfituar, janë mbi 130 ankesa që janë në institucionin e Avokatit të Popullit, ne kemi pritë më shumë ankesa më shumë reagim, por praktika e zbatimit të ligjit ka shpërfaq edhe diçka tjetër, të gjithë duhet me u rezervu prej saj derisa Gjykata Kushtetuese të vendos çka duhet të bëhet më këtë”, tha Tahiri.
Ligji për pagat në sektorin publik, u diskutua në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, në bashkëpunim me FSSHK-në.