Përgatiti: Arian Hajdaraj
Ky është Manastiri i Banjskës që u kthye në bazë për grupin e armatosur serb, që u konfrontua me Policinë e Kosovës. Me të filluar sulmi ndaj Policisë, pësoi rreshteri Afrim Bunjaku.
Orë të tëra pas aksionit të Policisë, terroristët u larguan, por brenda u gjet shumë armatim e objekti fetar pësoi dëme të konsiderueshme materiale.
Monumenti i trashëgimisë Kulturore, që ndodhet në Zveçan, konsiderohet i rëndësisë së veçantë. Andaj, Ministria e Kulturës planifikon ta restaurojë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Nga ajo çfarë kemi parë, terroristët kanë shkaktuar sulme jo të vogla në strukturën fizike të këtij Manastirit. Besoj thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi dhe urdhërdhënësve të tyre kanë qenë që përveç dëmtimit fizik, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në Kosovë. Ministria e Kulturës ka tashmë kodin buxhetor dhe mjetet e nevojshme financiare për ndërhyrjet sanuese edhe të Manastirit e Banjskës, përveç restaurimeve që i kemi kryer sivjet në kishat ortodokse në Kosovë”, tha ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.
Objektet kulturore si ky i Banjskës, rëndom ruhen nga pjesëtarë të KFOR-it e me raste edhe nga Policia e Kosovës. Por, misioni paqeruajtës të paktën deri në transmetimin e kësaj kronike nuk ka treguar nëse edhe këtë manastir e kishte përgjegjësi.
“Deri para disa kohëve, institucionet e Kosovës nuk e kanë pasur të shtrirë autoritetin për ta kontrolluar plotësisht Veriun. Duke marrë parasysh këtë, përgjegjësia bie mbi KFOR-in dhe EULEX-in, të cilët është dashur të kontribuojnë në sigurinë e objekteve kufitare, ku u gjet ajo sasi e armatimit”, tha Avni Islami, doktor i shkencave të sigurisë.
Në listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës, Manastiri i Banjskës zë vendin e 47-të dhe llogaritet të jetë ndërtuar në mesjetë.