Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme e ka vizituar policin e plagosur në fshatin Banjskë në Zveçan.
“Operacioni i heqjes së predhës nga kraharori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit. Gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së takova edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit”, shkroi Kurti.
Tutje, Kurti ka thënë se polici Alban Rashiti do të lirohet sot në shtëpi dhe se gjendja e tij është stabile.
Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa Alban Rashiti ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.