Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për medie, është pyetur nëse do të kërkojë nga Bashkimi Evropian zëvendësimin e emisarit special të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në procesin e dialogut.
Ai theksoi se lidhur me punën e tij ai duhet t’i jap llogari institucioneve të BE-së, raporton Ekonomia Online.
“Emisari evropian Lajçak natyrisht që nuk më jep mua llogari si kryeministër i Kosovës, por ai duhet t’i japë llogari Komisionit Evropian, Këshillit Evropian, Parlamentit Evropian dhe unë besoj se ajo çfarë kam thënë ditëve të fundit e në veçanti sot është më se e mjaftueshme për këtë llogaridhënie të tij atje”, tha ai.
Përfundimi pa rezultat i takimit të 14 shtatorit ka ngritur pikëpyetje për të ardhmen e procesit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Madje si rezultat i kësaj, po kërkohet që Shtetet e Bashkuara të përfshihen direkt në procesin e dialogut.
Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ka pritur rezultate më konkrete, gjatë takimit të fundit.
Lajçak tregoi se pas takimit të nivelit të lartë, iu është drejtuar ambasadorëve të vendeve anëtare BE-së, në Bruksel për detajet e takimit.
E presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se bisedimet me Kurtin përfunduan pa sukses, pasi Kurti, sipas tij, “e refuzoi propozimin evropian”.