Me lojë shahu, punëtori për demokraci e diskutime Kuvendi shënoi Ditën e Demokracisë dhe hapi dyert

Përgatiti: Nexhmie Hyseni

Me lojë shahu, punëtori për demokraci e diskutime Kuvendi shënoi ditën e demokracisë dhe hapi dyert për vizitorë.

Kryetari Glauk Konjufca konsideroi se transparenca është një prej elementeve thelbësore për qeverisje demokratike.

“Po e shënojmë bashkërisht këtë ditë të rëndësishme, e cila na e rikujton edhe një herë rëndësinë dhe vlerat që përfaqëson sistemi demokratik i qeverisjes, por edhe sfidat që e rrezikojnë shëndetin e demokracisë, por edhe që e kanë tendencën për ta minuar atë. Gëzohem, po ashtu, që kjo ditë ndërkombëtare e demokracisë po shënohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Edhe kësaj radhe, ajo shënohet me aktivitete të shumta edhe së bashku me grupet e ndryshme shoqërore, aktivitete këto që po e promovojnë hapjen e institucionit të Kuvendit të Kosovës ndaj publikut. Ky është edhe qëllimi i festimit të kësaj dite. Këtë ditë, sivjet po e shënojmë edhe me një lajm të mirë që e morëm para pak ditësh, që është anëtarësimi i Republikës së Kosovës në partneritetin për qeverisje të hapur”, tha Konjufca.

Kryetarja e Forumit për Transparencë, Arbëreshë Kryeziu, tha se Kosova ka shënuar progres të madh në këtë fushë.

“Shënimi i kësaj dite është një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën, sepse reflektojmë mbi progresin dhe sfidat që i kemi kaluar ne si vend dhe sigurisht mbi ato që po kalojmë për të arritur progresin e dëshiruar. Sot, teksa po e shënojmë këtë ditë na gëzon fakti se progresi që ka shënuar Kosova në këtë drejtim ka qenë mjaft i madh. U radhitëm vetëm të tretit në botë sa i përket të qenit demokratik nga raportet e nxjerra nga Freedom House, çfarë na bën pra shtetin më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe përtej kësaj. Ky progres është arritur, sepse në gjithë këtë proces ka pasur përfshirje të qytetarëve, përfshirje të shoqërisë civile në të gjitha proceset vendimmarrëse, për të ndërthurur vlerat e demokracisë me iniciativat për transparencë dhe llogaridhënie në nivel qytetar”, tha Kryeziu.

Edhe nga opozita vlerësuan se Kosova qëndron mirë në formimin e institucioneve të pavarura e demokratike.

“Pa dyshim që Kosova përbën një shembull të mirë të rrugëtimit të saj për të ndërtuar institucione të pavarura dhe demokratike. Dhe për këtë duhet një falënderim i madh për përpjekjet shumëvjeçare, që janë bërë për të konsoliduar shtetin e Kosovës dhe për të bërë që parimi i gjithë përfshirjes i gjeneratave të reja, i pjesëmarrësve aktivë, i qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës të jetë gur themeli në ndërtimin e institucioneve demokratike. Megjithatë, përkundër një përpjekje të gjatë që është bërë, forumi ka bërë një punë të mirë dhe natyrisht është një vlerësim i përgjithshëm që forumi për Transparencë Parlamentare brenda Kuvendit të Kosovës, bashkë me organizatat e shoqërisë civile, me akterë të tjerë, me staf të Kuvendit të Kosovës, është përpjekur që këtë institucion ta bëjë sa më të hapur dhe me të qasshëm për qytetarët dhe të gjitha kategoritë”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

15 shtatori u përcaktua nga Kombet e Bashkuara si ditë e shënimit të progresit shoqëror dhe vlerat që përfaqësojnë sistemin demokratik të qeverisjes. Motoja e sivjetme e ishte Fuqizimi i Gjeneratave të reja.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA