Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Armë, robotikë, automjete, autoblinda, motorë, pajisje të forenzikës dhe ato të mjekësisë, janë ekspozuar në sheshet e kryeqytetit, me rastin e 24-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
Për punën e suksesshme të zyrtarëve policorë ka folur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili, po ashtu, ka theksuar se po bën përpjekje që ky institucion të ketë mbështetje më të madhe nga Qeveria.
“Tashmë Policia e Kosovës është institucioni me besueshmërinë më të madhe në shoqërinë tonë”, tha Sveçla.
Në këtë përvjetor, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se Policisë do t’i shtohen rreth 500 pjesëtarë të rinj.
“Ne veç e kemi pasur një konkurs para një muaji, do t’i marrim të paktën 400 deri në 500 zyrtarë të rinj dhe rekrutimi do të vazhdojë çdo vit”, tha Hoxha.
Për sfidat e zyrtarëve policorë ka folur kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri. Sipas tij, edhe 24-vjetori i Policisë së Kosovës i gjeti ata pa sigurim shëndetësor.
“Me sfidat që i ka treguar për këto 24 vjet dhe të mos ketë ende një sigurim shëndetësor dhe jetësor, kjo ka qenë kërkesë e kahershme e Sindikatës të Policisë së Kosovës por nuk kemi marrë përgjigje, nga asnjë qeveri deri më tani”, tha Zeqiri.
Juristja Dorentina Bujupi ka kërkuar nga institucionet përkatëse që t’i realizojnë kërkesat e policisë.
“Institucionet t’i realizojnë kërkesat e Policisë së Kosovës”, tha Dorentina Bujupi, juriste.
Gjatë shënimit të 24-vjetorit, gjithashtu, janë shfaqur disa prej aksioneve të Policisë, që konsiderohen si operacionet më të rëndësishme që janë kryer nga zyrtarët policorë.