Përgatiti: Nora Luta
Pak para se të fillojë viti i ri shkollor në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra ministren e Arsimit, Evis Kushi.
Për shkak të performancës jo të mirë dhe siç deklaroi Rama telasheve me drejtësinë, të hënën shkarkoi edhe pesë kolegë të tjerë të Kushit.
Lëvizja FOL, e cila ka monitoruar punën e Qeverisë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, po e sugjeron një veprim të tillë edhe në Kosovë.
Sipas “FOL” një riformatim i Qeverisë është i nevojshëm, sidomos në Ministrinë e Arsimit dhe në atë të Shëndetësisë.
Sipas Bunjakut, gjatë kësaj periudhe ekzekutivi nuk arriti të përmbushë planin kombëtar të zhvillimit.
Njohës të punës së Qeverisë thonë se rezultatet gjatë këtij viti kanë munguar në shumë fusha, sidomos në atë arsimit dhe të industrisë e tregtisë.
Bekim Kabashi, duke përmendur edhe rrëzimin e ligjeve nga Gjykata Kushtetuese, thekson se riformatimi është i domosdoshëm.
Megjithatë, sipas tij, problemi në mungesën e rezultateve nuk qëndron vetëm të ministrat, por te kreu i Qeverisë.
Zyra e Kryeministrit nuk ka kthyer një përgjigje nëse Kurti po e shqyrton një riformatim, por ka thënë se për performancën e kabinetit qeveritar kryeministri mban takime të rregullta.
“Performanca e punës së kabinetit qeveritar është subjekt i vlerësimeve të rregullta të brendshme. Në fund të muajit të kaluar, Kryeministri Kurti kishte zhvilluar një takim intern me kabinetin qeveritar në të cilin ishte diskutuar mbi mbarëvajtjen e projekteve dhe progresin në përmbushjen e planit strategjik-operacional e të programit qeverisës”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Deri tash nga kabineti qeveritar nuk u shkarkuan, por dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre, ministri i mbrojtjes Armend Mehaj, dhe ai i shëndetësisë Rifat Latifi.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: