Një grua është vrarë në Pejë pasditen e së premtes, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Gazetari i ATV-së, në një lidhje direkte për edicionin qendror të lajmeve, ka raportuar konfirmimin e Policisë së Kosovës për vrasjen e një 63-vjeçareje, në lagjen Kapeshnicë, në rrugën “Mbreti Zogu” në Pejë dhe arrestimin e të dyshuarit.
Ndonëse policia nuk ka dhënë detaje rreth raportit familjar që viktima me të dyshuarin, që tashmë është i arrestuar, jo zyrtarisht ATV ka mësuar se kemi të bëjmë me një raport fëmijë – nënë.
Në vendin e ngjarjes shihen dy vetura të policisë, ndërsa janë parë edhe hetues të policisë të cilët kanë hyrë dhe kanë dalur nga kjo shtëpi.
Deri më tani nuk janë konfirmuar motivet e kësaj ngjarjeje, por jo zyrtarisht kemi mësuar se kemi të bëjmë me një ngatërresë familjare. /atvlive.tv