PËRGATITI: ARMAND HOTI
Kryeministri Albin Kurti ka reaguar ndaj deklaratës së homologes së tij serbe, Ana Brnabiq, e cila në panelin e mbajtur në Forumin Strategjik të Bledit, ka thënë se ekziston vetëm një shtet dhe jo dy, pasi, sipas saj, Kosova nuk është e njohur ndërkombëtarisht. Veç polemikave të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në këtë forum është diskutuar edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe integrimin e shteteve, me ç’rast liderët e Shqipërisë dhe Malit të Zi patën kritika në BE-në.
Gjatë punimeve të Forumit Strategjik të Bledit, të mbajtur në Slloveni, në një pjesë të fjalimit të tij, kryeministri Albin Kurti foli për hapat që ka ndërmarrë Kosova për deeskalimin e situatës në Veri.
“Ne kemi nevojë për deeskalim, duhet t’i zbusim tensionet, janë bërë diku dy muaj tani që në veri të Kosovës nuk ka pasur protesta të dhunshme, apo incidente. Ne e kemi ulur dy herë nga 25% prezencën e Policisë së Kosovës në objektet komunale dhe po shikojmë të kemi zgjedhje të parakohshme në komunat veriore.”
Mirëpo, fraza “normalizimi i raporteve mes dy shteteve”, nuk u prit fare mirë nga kryeministrja serbe, Ana Brnabic. Sipas saj, nuk bëhet fjalë për dy shtete, por vetëm një, atë të Serbisë.
“Për mua është një shtet, nuk janë dy shtete. Kosova nuk është pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Dyshoj të jetë pjesë e BE-së, derisa ka pesë vende që nuk e njohin. Normalizimi është në interes të serbëve e shqiptarëve. Normalizimi fillon me marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar në prill të 2013-ës, si marrëveshja e parë për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. E vetmja gjë që Prishtina duhet të bënte bazuar në atë marrëveshje është themelimi i Asociacionit. Zotëri Kurti thotë se për të, ajo marrëveshje nuk ekziston.”
Por ndaj deklaratës së Brnabiq ka reaguar menjëherë kryeministri kosovar.
Ndonëse, moderatori ia dha vetëm dhjetë sekonda kohë për replikë, Kurti gjatë kundërpërgjigjes ia përmendi homologes së tij realitetin e fantazinë, deklaratë kjo e cila edhe u duartrokit në sallë.
“Mbështetja e Kosovës për BE-në është 95 për qind, në Serbi është 45 për qind. Ne kemi vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, Serbia nuk është duke menduar për këtë. Ata nuk e kanë distancuar veten e tyre as nga Millosheviqi, as nga Putini. Nuk është e lehtë për ne. Unë dua që t’i normalizojmë marrëdhëniet dhe do ta bëja këtë menjëherë, p.sh., nëse fqinji im do të ishte Republika Çeke. Mund të ndodhë, por, normalizimi në psikologji do të thotë mungesa e konfuzionit mes realitetit dhe fantazisë dhe ky është një regjistër tjetër ku unë nuk mund të kontribuoj, për fat të keq.”
Përveç situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në panelin e diskutimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, është folur edhe për integrimin në Bashkimin Evropian të shteteve të rajonit. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.
Megjithatë, liderët e vendeve të Ballkanit patën kritika sa i takon procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Jam shumë i kënaqur të shoh liderë, politikanë që flasin njësoj, si në darkë si para forumit. Jo që do jemi pjesë e BE-së në 2030, por së paku në disa prej hapave, kjo do ishte e mirë derisa flasim për konvergjencën e BE-së. Që prej momentit që këto shtete kanë hyrë në rrugëtimin evropian, e derisa të bëhen anëtare, duhet të ketë gjëra të ndërmjetme. Jo vetëm reforma dhe kritika që janë po aq të rëndësishme, por edhe një mbështetje më konsistente dhe nuk po them vetëm financiarisht, por në kuptimin e qasjes së vendit tonë në tregun e përbashkët dhe një hapësirë më të lirë për ndërmarrjet tona.”
“Ne jemi shteti i diellit dhe i qejfit, nuk kemi problem me askënd dhe lufta kundër korrupsionit e krimit po shkon mirë. Ndonjëherë liderët e BE-së nuk e dinë se çfarë po kërkojnë. Ne e dimë se çfarë po kërkojmë: ne duam të bëhemi pjesë e BE-së, sa më shpejt që është e mundur. Unë nuk jam shumë i sigurt se ndonjëherë udhëheqësia e BE-së e di çfarë po kërkon.”
Qëllimi i Forumit Strategjik të Bledit është të inkurajojë pjesëmarrësit, që vijnë nga fusha e diplomacisë, politikës, ekonomisë të diskutojnë dhe të shkëmbejnë mendime për të gjetur zgjidhje për sfidat rajonale dhe globale.