PËRGATITI: NORA LUTA
Drafti i parë i opinionit të Komisionit të Venecias rreth projektligjit për Këshillin Prokurorial do t’i shkojë në zyrë Ministrisë së Drejtësisë gjatë muajit shtator, ndërsa në tetor ai final pritet të diskutohet në seancën plenare të Komisionit. Derisa Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu pret opinion pozitiv, njohës të fushës mendojnë se dërgimi i ligjit në komisionin e Vencias ka qenë domosdoshmëri.
Ministria e Drejtësisë do ta pranojë draftin e opinionit të Komisionit të Venecias rreth ligjit për Këshillin Prokurorial gjatë muajit shtator.
Udhëheqësja e këtij dikasteri Albulena Haxhiu thotë se presin përgjigjeje pozitive, teksa flet për dilemat që i ka pasur për dërgimin e dokumentit në këtë komision, pasi sipas saj Gjykata Kushtetuese nuk po i zbaton rekomandimet e tij.
Megjithatë Haxhiu pritet të jetë e pranishme në seancën plenare të Komisionit të Venecias, që do të mbahet në tetor të këtij viti.
Por monitorues të këtij procesi thonë se nuk mund të tërhiqet një paralele mes Komisionit të Venecias, dhe Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi për reformat që synon Ministria në sistemin prokurorial, dërgimi i ligjit në Komisionin e Venecias ka qenë domosdoshmëri.
Ligjin e miratuar për KPK-në e kishte shpallur të pavlefshëm Gjykata Kushtetuese, duke gjetur vërejtje edhe në balancimin e anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë.
Mirëpo Qeveria miratoi projektligjin e ri gjatë muajit korrik, sipas të cilit përveç anëtarëve aktualë të Këshillit, deri në vitin 2026, KPK-së, do t’i shtohen edhe 8 anëtarë joprokurorë, të cilët do të zgjidhen nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë votash.