Në Qendrën e Mjekësisë Familjare, në fshatin Roganë të Kamenicës, nga ora 22:00-08:00, pacientët së shpejti do të marrin shërbime mjekësore online.
Mjeku familjar, përmes video-lidhjes ose telefonit, do të vendosë për terapinë e pacientit nga distanca.
Gjatë kësaj kohe ai do të punojë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku do të merret direkt me rastet e tjera.
Kjo mënyrë e ofrimit të shërbimeve online, sipas kryetarit të Komunës, Kadri Rahimaj, është gjetje për të funksionuar me numër të vogël të mjekëve familjarë.
“Aktualisht në QMF në Rogan punon 24 orë, pengesa më e madhe pjesa e orarit të punës e me këtë orar osht vështirë me ofru shërbime gjatë natës për shkak të numrit të ulët të mjekëve. Alternativa e klinikave digjitale, komunikimi i drejtpërdrejt me mjekun online kështu do të bëhet vlerësimi virtual i parametrave për pacientë. Më thjeshte pacienti ka me ul n’karrike do të jetë ne kontakte virtuale me mjekun dhe përmes kësaj mënyre mjeku vendos se çka ka pacienti, prezent janë dmth 2 infermiere, mjeku ka me kanë në QKMF kryesore tu punu fizikisht po edhe kudo qoftë ai ka me dhënë diagnozën përmes thirrjes online”, tha kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj.
Me këtë plan, ai thotë se janë pajtuar edhe mjekët.
“Mjekët janë pajtu krejt me këtë strategji që e kemi në plan”, tha Rahimaj.
Megjithatë, sipas Rabit Dermakut, specialist i mjekësisë familjare, i cili punon në këtë qendër, një formë e tillë e ofrimit të shërbimeve mjekësore është e papranueshme.
“Nuk m’ka pëlqye si ide, ndodh që mjeku është i zont me raste të tjera, ose nuk është hiq ne QKMF. Bile na kemi urdhëresë që infermierët mos me ofru shërbime mjekësore pa prezencë të mjekut, kryetari ka ra në kundërshtim me veten”, tha Dermaku”, tha Dermaku.
Ofrimin e trajtimeve mjekësore në këtë mënyrë, po e kundërshtojnë edhe banorët e fshatit.
“Kontrolla online nuk është aspak efektive shumë ma mirë me kon mjeku fizikisht, edhe valla s’jena shoqni për kësi teknologji të reja”, tha Baki Krasniqi, banor.
“Nuk mendoj që është ide e mirë aspak për me funksionu shërbimet pa prezencë të mjekut”, tha Fitim Kastrati, pacient.
As opozita në këtë komunë nuk është pajtuar me këtë strategji.
“Këtë mënyrë të strategjisë nuk e pranojmë aspak, ideja e kryetarit me ekspertin është e kotë, nuk është normale me u punu pas orës 22:00 në formë online”, tha Egzona Isufi nga dega e LDK-së në Kamenicë.
Në këtë qendër, shërbime mjekësore marrin banorët e 8 fshatrave të Kamenicës, dhe të 2 fshatrave të Luginës së Preshevës.
Ndërkaq, gjatë vitit 2022, në të janë ofruar mbi 24 mijë shërbime mjekësore. /atvlive.tv