Policia e Kosovës ka dalë më disa statistika lidhur me rezultatet e planit operativ “Goditja”, në rajonin e Ferizajt.
Policia ka bërë me dije se nga data 8 deri më 11 gusht, janë realizuar 147 patrullime në zona urbane, 226 pika kontrolli të automjeteve, 26 pika kontrolli me alkool test, 67 pika kontrolli me radar, janë kontrolluar 1 mijë e 645 vetura, janë legjitimuar 1 mijë e 895 persona, janë kontrolluar 21 lokale.
Pas këtyre kontrolleve, janë arrestuar nëntë persona dhe janë konfiskuar pesë armë të zjarrit dhe sasi e municionit.
“Policia Rajonale e Ferizajt nga data 08.08.2023 ka shtuar masat e sigurisë në rajonin e Ferizajt, ku janë angazhuar të gjitha stacionet e rendit : Ferizaj, Kaçanik , Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit dhe njësitet nga Sektori i Hetimeve Rajonale, Njësia e Reagimit të Shpejtë dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor. Aktivitetet dhe patrullimet policore, kryesisht janë fokusuar në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate dhe frekuentim më të madh të qytetarëve. Policia Rajonale me kohë i ka koordinuar detyrat e saj me organet e drejtësisë, për trajtimin e rasteve eventuale që mund të iniciohen gjatë zbatimit të këtij plani”, thuhet në njoftim.