Qeveria e Kosovës konsideron se janë plotësuar tri kërkesat e BE-së që dalin nga marrëveshja e Bratislavës midis zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së Miroslav Lajçak, për de-eskalimin e situatës në veri.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se Qeveria ka përmbushur fillimisht dy hapat e parë duke tërhequr 50% të Policisë në dhe rreth komunave në veri të vendit.
Ndërsa, hapi i tretë është drejtë përmbushjes, pasi Qeveria ka themeluar grupin punues përgjegjës për hartimin e udhëzimin administrativ që mundëson zgjedhjet e parakohshme.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga zëvendëskryeministri i saj, Besnik Bislimi ka arritur një marrëveshje në Bratislavë me emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak mbi hapat e zbatimit të deklaratës së 3 qershorit të BE-së për deeskalim të situatës në katër komunat në veri. Prej atij momenti, Republika e Kosovës ka përmbushur pikën e parë të atij dakordimi me rastin e uljes prej 25% të pranisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në dhe përreth ndërtesave komunale. Si rezultat i zbatimit të pikës së dytë, e cila parasheh vlerësimin e përbashkët të situatës së sigurisë, javën e kaluar numri i policëve në dhe përreth ndërtesave komunale është ulur edhe për 25% tjera. Ndërkaq në kuadër të pikës së tretë të dakordimit të Bratislavës, ne tashmë kemi themeluar grupin punues përgjegjës për hartimin e udhëzimin administrativ që mundëson zgjedhjet e parakohshme’’ tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka parashtruar pyetje në drejtim të BE-së se çfarë po kërkon më shumë nga Kosova. Ndërsa, për Serbinë tha se nuk ka bërë asgjë për de-eskalimin e situatës në veri.
“Pra Kosova po respekton dakordimin me BE-në. Një pyetje me rendësi që duhet të ngritët është se çfarë ka bërë Serbia për deeskalimin e situatës nga çka i është kërkuar fillimisht nga vetë BE. Kjo së bashku me pyetjen se çfarë po kërkon më shumë BE-ja nga Kosova, është më së miri t’i parashtrohet BE-së. Ne kemi thënë që masat ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta dhe presim që ato të largohen sa më parë, sidomos pas progresit në zbatimin e marrëveshjes së Brastislavës por edhe pas përmirësimit të situatës në terren” tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. Ky reagim i Qeverisë vjen pasi BE-ja e ka mirëpritur tërheqjen e 50% të Policisë nga komunat veriore, por BE-ja ka kërkuar hapat të tjerë nga Qeveria për de-eskalimin e situatës në veri. “BE-ja mirëpret njoftimin e fundit nga Qeveria e Kosovës për një reduktim të mëtejshëm prej 25% të pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm” thuhet në përgjigjen e BE-së.