Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka reaguar pas incidentit në Veri të vendit, ku një qytetar serb mbeti i plagosur të hënën mbrëma te Ura e Bistricës në afërsi të Zveçanit.
Rohde në rrjetin social Twitter ka shpërndarë reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, duke thënë se është një tjetër incident shqetësues sigurie.
”Jam plotësisht dakord. Një tjetër incident shqetësues sigurie. Është mirë ta shohësh atë se Policia e Kosovës ka reaguar duke hetuar gjerësisht rastin. Sjellja e mundshme e keqe nga policia duhet të shqyrtohet si çdo tjetër. Viktimës i uroj shërim të shpejtë“, ka shkruar ambasadori gjerman mbrëmë.
Për incidentin në veri, ka reaguar edhe ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ai thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara që fillimisht u mohua krimi, teksa kërkojnë hetim të plotë nga policia për këtë rast.
Hovenier, mes tjerash, tha se mbështetja e Amerikës për Kosovën do të vazhdojë veçse ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi.