Ukraina tha se forcat e saj kanë zmbrapsur dhjetëra sulme të forcave ruse në lindje, teksa luftimet intensive po vazhdojnë përreth qytetit të shkatërruar të Bahmutit.
“Pavarësisht humbjeve të mëdha të pajisjeve dhe ushtarëve, armiku nuk po heq dorë nga lufta e agresionit. Po vazhdon të përqendrojë përpjekjet kryesore në kryerjen e operacioneve të ofensivës në zonat e Limanit, Bahmutit, Avdivit dhe Marinit”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.
Forcat ukrainase kanë zmbrapsur 72 sulme gjatë ditës së kaluar, u tha në deklaratë. Serhiy Çerevati, komandant i forcave tokësore të Ukrainës, tha se situata në Bahmut është nën kontroll, duke shtuar se Kievi nuk do të lejojë që trupat e tij të rrethohen.
Beteja disamujore për Bahmutin, që gjendet në rajonin lindor të Donjeckut, është shndërruar në një prej betejave më të përgjakshme të pushtimit rus të Ukrainës.