Qeveria e Kosovës ditë më parë rriti pagën minimale në 264 euro.
Por kjo rritje, përveç se u kritikua se është pak për punëtorët, po konsiderohet e dëmshme edhe për bizneset e vogla.
“Në rast se do të bëhet obligative që do të kenë një pagë fikse 250, apo çfarëdo vlere për këto biznese, do të dëmtohen në masë të madhe, për shkak se ato fillimisht duhet të mbushin obligimet ndaj punëtorëve, pastaj të krijojnë profitin e tyre. Në mënyrë që të bëhet kjo zgjidhje, duhet t’i rrisin çmimet e shërbimeve dhe produkteve që nuk mund të jenë konkurrent në treg, pastaj tregu gradualisht i detyron që ata t’ia vendosin drynin ndërmarrjes tyre”, tha eksperti i ekonomisë, Besnik Avdija.
Të njëjtin mendim ndan edhe kryetari i odes ekonomike Lulzim Rafuna, teksa thotë se qeveria është dashur ta bëj një vlerësim para se ta qoj ligjin në kuvend.
“Para se të sjellët ligji ish dashtë me qenë një studim, një vlerësim se sa do të ndikojë rritja e pagës minimale, sidomos tek bizneset e vogla që fillojnë punën. Por, ne edhe më herët e kemi ngrit zërin që bizneset e vogla të ndihmohen në një periudhë të caktuar kohore, derisa të stabilizohen pak. Duhet me qenë shumë të kujdesshëm, në momentin që fillon të implementohet ligji që mos të dëmtohen asnjë biznes, duke përfshirë edhe ato biznese që sapo kanë filluar punën”, tha Rafuna.
Rafuna shton se ka nevojë që të ndihmohen bizneset e vogla, në mënyrë që të mos pësojnë ndonjë dëmtim nga ana e pagës minimale.
“Duhet të përgatitet një paketë e masave fiskale, sidomos tek subvencionimi i qirasë për një periudhë të caktuar kohore ose subvencionimi i fuqisë punëtore, aty ku hasen në vështirësi, me pas ndihma në forma të ndryshme, në zbutjen e interesave”, tha Rafuna.
Përveç kësaj, rritja e pagës minimale vlerësohet se mund të ndikoj edhe në rritjen e informalitetit te punëtorët.
“Kjo pagë minimale mund të ndikojë në rritjen e informalitetit, për shkak se kemi pas një numër të bizneseve që kanë deklaruar ndoshta pagën e punëtorëve deri në nivel të pagës minimale, ndërsa pjesën tjetër ua kanë kompensuar përmes kanaleve joformale. Pra, në këtë kontekst konsideroj se qeveria tani duhet të jetë më e kujdesshme dhe të fokusohet në masat që kanë për qëllim uljen e informalitetit. Pra, në rritjen e kapaciteteve të inspektoratit të punës, në mënyrë që kësisoj të parandalojë rritjen e mëtutjeshme të informalietit si rezultat i rritjes së pagës minimale”, tha Visar Vokrri, hulumtues në Riinvest.
Rritja e pagës minimale u kundërshtua veçanërisht nga organizatat e dala nga lufta për mos përfshirje të veteranëve në këtë ligj.
Për këtë arsye të premten Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dërgoi këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.
Kësisoj ligji nuk u dekretua as nga presidentja deri në një vendim final të gjykatës. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: